Agjencia Kundër Korrupsion e ka detyruar të jap dorëheqje nga dy funksione të tjera drejtorin e Klinikës së Radiologjisë në QKUK Dr. Bujar Gjikollin. Kjo ka ndodhur pas raportimeve të Gazetës Shneta
Dr. Bujar Gjikolli u përzgjodh në pozitën e drejtorit të Klinikës së Radiologjisë në QKUK, derisa në të njëjtën kohë mbante pozitën e Dekanit të Radiologjisë në Kolegjin AAB si dhe pozitën e përfaqësuesit të autorizuar në OJQ-në KOMC ku përfitonte mijëra euro, shkruan Gazeta Shneta.
Por pas raportimeve të Gazetës Shneta, Gjikolli është detyruar nga Agjencia Kundërr Korrupsion që të heq dorë nga dy pozita për shkak të konfliktit të hapur të interesit dhe shkeljes së Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.
AKK në vendim shkruan se Gjikolli ishte njoftuar sipas procedurave se pozitat e mbajtura nga ai përbëjnë konflikt interesi. Atij i ishte bërë me dije se nuk mund të mbaj pozitën e drejtorit të klinikës dhe dekanit në një kolegj privat në të njëjtën kohë. “Gjatë këtij takimi zyrtari i lartë është njoftuar se gjatë ushtrimit të funksionit publik në cilësinë e zyrtarit të lartë publik nuk mund të ushtroj njëkohësisht edhe funksion drejtues – Dekan në Fakultetin e Radiologjisë në Kolegjin AAB, sepse është e ndaluar me nenin 13 të Ligjit Nr. 06/L-011”, thuhet ndër të tjera në vendimin e AKK-së.
Zyrtarët e Kundër Korrupsionit ia kanë bërë me dije Gjikollit se nuk mund të mbaj as pozitën e përfaqësuesit të autorizuar në KOMC pasi kjo i ndalohet me ligj. Ai është pajtuar me vendimin e AKK-së dhe është tërhequr nga të dy pozitat.
“Agjencia ka pranuar shkresat zyrtare me të cilat dëshmohet se zyrtari i lartë ka dhënë dorëheqje nga funksioni i Dekanit të Fakultetit të Radiologjisë në Kolegjin AAB dhe nga funksioni i përfaqësuesit të autorizuar në Organizatën jo-qeveritare Fondacioni Kosova Open Medical Club – KOMC”, thuhet në vendimin e AKK-së.
Gazeta pati ofruar dëshmi edhe për lidhjet e Gjikollit me pronarët e Spitalit Sante Plus ku dyshohej se ai mbante pozitën e drejtorit mjekësor pa ndonjë vendim zyrtar, por AKK ka deklaruar se për këtë nuk ka gjetur se ka ushtruar ndonjë funksion në këtë spital. /Gazeta Shneta/