Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja për të parandaluar përhapjen e COVID-19.
Vendimi i parë i miratuar në mbledhjen e sotme është bartja obligative e maskave në të gjitha aktivitetet jashtë shtëpive/banesave, poashtu mbajtja e distancës fizike prej 2m në ambiente të përbashkëta jashtë shtëpive/banesave shkruan GazetaShneta.
Vendimi obligon gjithashtu që të gjitha institucionet publike dhe private të mbajnë dezinfektues për duar dhe maska për fytyrë në vende të qasshme, në hyrje të objektit, të cilat mund të shfrytëzohen nga punëtorët e institucioneve dhe vizitorët.
Në vazhdim të masave tjera të luftimit dhe parandalimit të COVID-19, Qeveria ka pezulluar veprimtarin e çerdheve publike dhe private; aktivitetet rekreative, kulturore dhe sportive të mbyllura në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Qendrat tregtare në territorin e Republikës së Kosovës janë të obliguara që veprimtarinë tregtare ta ushtrojnë prej orës 05:00 të mëngjesit deri në orën 21:00, duke zbatuar në përpikëri kushtet sipas Manualit për mbrojtje nga COVID-19, e mbi të gjitha mbajtjen e detyruar të maskave dhe krijimin e kushteve për distancë fizike të konsumatorëve./GazetaShneta/