Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar e ka shkelur statutin e këtij institucioni në dy raste, nuk është ndërruar asnjëherë kryesuesi dhe qe një vit e gjysmë funksionon pa një anëtar nga spitalet e përgjithshme
Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës është miratuar nga Qeveria në tetor të vitit 2017. Bordi ishte formuar pas ardhjes së Uran Ismailit në krye të MSH-së, me anëtarët Fatmir Dragidella, Mirdita Hajdari, Ardian Ferizi, Naser Ramadani. Ky i fundit ishte zgjedhur kryesues dhe që nga ajo kohë nuk është ndërruar më, shkruan Gazeta Shneta.
Por kjo po del të jetë në kundërshtim me Statutin e SHSKUK-së, i cili në nenin 11 pika 6 e përcakton qartë se kryesuesi duhet të ndërrohet çdo një vit. “Bordi Drejtues udhëhiqet nga Kryesuesi me mandat një (1) vjeçar i cili zgjedhet në bazë të parimit të rotacionit nga anëtarët e tij”, thuhet në nenin 11.
Ky nen përcakton poashtu në pikën 3.4 edhe emërimin e një përfaqësuesi nga spitalet e përgjithshme. Pas formimit Bordi i kryesuar nga Ramadani kishte vendosur për emërimin e Dr. Blerim Krasniqit, pediatër nga Spitali i Prizrenit. Ai kishte mandat 6 muaj dhe që prej përfundimit të tij, Bordi nuk ka emëruar anëtarë tjetër.
“Vetëm 6 muaj kam qenë anëtar i Bordit pasi këtë ma kërkuan nga Spitali i Prizrenit. Asnjë ditë më shumë nuk kam qenë i angazhuar. Nuk kam asnjë vendim për emërim dhe asnjë vendim pas përfundimit të mandatit”, ka deklaruar Krasniqi. Ai është shprehur i hapur për të treguar edhe pagesat për honorarë të cilat sipas tij kanë qenë mbi 300 euro. Krasniqi ka thënë se asnjë shpenzim tjetër nuk i është paguar nga Bordi.
Gazeta ka kërkuar nga Ramadani dhe SHSKUK ndonjë sqarim pse nuk është ndërruar kryesuesi asnjëherë, por asnjëra palë nuk kanë kthyer përgjigje në email.
Bordi i SHSKUK-së në bazë të Statutit i jep përgjegjësi Qeverisë dhe ministrit të Shëndetësisë, ndërsa ka mandat i tij zgjat tre vjet. /Gazeta Shneta/