Oda e Infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë ka reaguar pas publikimit të video- incizimit në të cilën shohet një infermiere duke e dhunuar fizikisht një të moshuar ndërsa disa infermiere të tjera qeshin dhe nuk e ndalojnë dhunën.
“Sjellje të tilla janë të pa pranueshme dhe OIK është në verifkim të informacioneve nëse bëhet fjalë për ndonjë anëtare të saj apo siç ndodhë shpesh institucionet angazhojnë persona të pa kualifikuar e që me sjelljet e tyre ndikojnë direkt në imazhin e komunitetit shëndetësor”, thuhet në reagim.
OIK sqaron se në rast se rezulton se personi në fjalë është anëtare e Odës atëherë do të veprohet konformë legjislacionit në fuqi.
Për këtë rast gjithashtu ka reaguar edhe nënkryetari i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Enlirat Duraku.
Ai ka ftuar OIK që përjetësisht t’ia revokojnë licencën e punës “sepse titullin e infermieres e ka humbur ajo vetë, ndërsa të filloj hetimet për shkelje të etikës profesionale edhe për infermieret e tjera në video”.
“Secili infermier, secila infermiere duhet sot të distancohet publikisht, sepse kjo që shihet në video nuk e përfaqëson profesionin e infermierit, ndërsa edhe ato të tjerat të cilat qeshnin edhe pse e kishin mundësinë që t’a ndalojnë abuzimin dhe sulmin ndaj qytetares së moshuar në video nuk i bëjnë nderë as vetes së tyre, e as profesionit të infermierit”, është shprehur ai në rrjetin social facebook.
Policia e Kosovës ka arrestuar dy punonjëse të shtëpisë së të moshuarve “Orenda”, ku ka ndodhur rasti i rrahjes së të moshuares.
Policia përmes një njoftimi ka bërë të ditur se duke u bazuar nё video incizimin i cili ka qarkulluar nё media sociale, ku shihet se njё punёtore nё njё shtёpi tё pleqeve nё Pejё, ёshtё duke ushtruar dhunё ndaj njё moshuare.
“Policia menjёherё ёshtё vёnё ne veprim dhe rreth orёs 14:10, ka identifikuar lokacionin, dhe ka arrestuar dy (2) tё dyshuara lidhur me rastin”, thuhet në njoftimin e Policisë, shkruan Gazeta Shneta.
“Tё dyshuarat janё duke u intervistuar nga hetuesit e Stacionit Policor nё Pejё, dhe nё koordimin tё plotё me prokurorin e shtetit do tё merren veprime te mëtutjeshme”, thuhet në njoftim.
Gazeta ka mësuar se përveç të dyshuarës e cila shihet duke goditur me shuplaka dhe shkelma të moshuarën, është arrestuar edhe përgjegjësja e shtëpisë “Orenda”, e cila e kishte mbajtur të fshehur rastin dhe nuk e kishte denoncuar.
Para disa minutash është publikuar një video në rrjetet sociale ku shihet një punonjëse e shtëpisë së pleqve “Orenda” duke goditur me shuplaka e shkelma një të moshuar.
Ngjarja tronditëse ka shkaktuar reagime të ashpra në rrjetet sociale. /Gazeta Shneta/
Video shokuese e infermieres duke goditur me shuplaka të moshuarën në Kosovë