Diabeti dhe hipertensioni janë ndër shkaktarët kryesor për sëmundjen e veshkave. Te mbi 30 për qind të pacientëve në Kosovë që janë në dializë ose kanë pamjaftueshmëri kronike terminale, faktor kryesor konsiderohen të jenë diabeti tip 1 dhe tip 2, hipertensioni, sëmundjet policistike dhe trashëguese duke përfshirë edhe infeksionet urinare.
Kështu thotë nefrologu në Qendrën klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Ibrahim Rrudhani sot në Ditën Botërore të Veshkave, derisa kërkon nga pacientët që të jenë më të përkushtuar në trajtimin e shkaktarëve që po sjellin probleme me veshka.
Për KosovaPress, Rrudhani potencon se kanë shënuar Ditës Botërore të Veshkës me moton “Veshkat e shëndetshme për të gjithë”, për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e shëndetit të veshkave.
Nefrologu Ibrahim Rrudhani thotë se në Klinikën e Nefrologjisë të QKUK-së, dominojnë rastet kur sëmundja e veshakëve shkaktohet nga diabeti.
Ai thekson se një diabet i mirë menaxhuar dhe mirë kontrolluar parandalon edhe komplikacionet sekondare siç janë veshkat, që sipas tij ndikojnë në shëndet dhe kufizojnë aftësitë për punë.
Përveç këtyre, Rrudhani foli edhe barnat esenciale dhe kushtet në këtë klinikë, për çka potencon se janë të mirë furnizuar me ilaçe.
Ndërkaq, sa i përket kushteve thotë se janë optimale, derisa shton se Klinika e Nefrologjisë si qendër e vetme terciare në Kosovë, trajton pacientët me sëmundje me protokoll të veçantë në diagnostifikim, por edhe të atyre terminale.
Rrudhani konsideron se rritja e stafit do të ishte e nevojshme, për shkak se sipas tij përveç mjekimit, duhet bërë edhe promovimi i shëndetit.
Ndryshe, 9 Marsi njihet si Dita Botërore e Veshkave, e cila është një ditë e veçantë që festohet për të tërhequr vëmendjen ndaj shëndetit të veshkave dhe për të rritur ndërgjegjësimin në shoqëri.
Veshkat kanë për detyrë pastrimin e substancave dhe ruajtjen e ekuilibrit të lëngjeve. Derisa miliona njerëz në mbarë botën luftojnë me sëmundjet e veshkave, por ato mund të zbulohen herët ose të parandalohen.
Sot, në shënimin e kësaj dite, Klinika e Nekrologjisë, Shoqata e Nefrologëve të Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës në sheshin “Xhorxh Bush” organizuan aktivitetin me temën: “Veshkë të Shëndetshme për të gjithë”. /Z.Zeneli/