Rreth situatës së fundit në shëndetësi, ka folur ish -ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Zemaj për burimin Front Online ka thënë se dorëheqjet e fundit ndërlidhen me interferimet e grupeve korruptive dhe kriminale e që kanë të bëjnë me Qeverinë.
“Këto dorëheqje vijnë si pasojë e interferimeve të grupeve korruptive dhe grupeve kriminale të interesit që tash i kanë shti duart thellë në sektorin e shëndetësisë të përkrahur dhe nën menaxhim të kësaj qeverie”, ka thënë Zemaj.
“E, kemi parë edhe ditëve të fundit atë që ka ndodhur në Onkologji, mungesë e barnave dhe të trajtimit të pacientëve, shtytje për dorëheqje ose shkarkim të drejtorëve në vazhdimësi, dhe tash lajmi për dorëheqjen e ushtrueses së detyrës pothuajse pas një viti edhe tentimit të proklamimit që së paku të dukej diçka, por gjithmonë e kemi thënë në konflikt me bordin dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Por, nuk është konflikt institucional, por është konflikt i grupeve korruptive që e kanë kapur këtë sektor dhe fajtori kryesor është Qeveria, Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje dhe njerëzit brenda saj”.
Në anën tjetër, Zemaj nuk ka lënë pa e përmendur dhe ministrin e ri, Arben Vitia.
Sipas tij, nga ta nuk presin asgjë pasi që ministrat në këtë sektor po emërohen secili më i dobët se tjetri.
“Me një fjalë aty, është krijuar një kaos institucional dhe këtë e kemi thënë në vazhdimësi në krye me këtë ministër, me këtë Qeveri dhe me këta njerëz rreth kësaj rreth sektorit të shëndetësisë dhe sidomos edhe menaxhmenti administrativ i cili ka krijuar një monopol dhe e ka kap sektorin e shëndetësisë. Asgjë s’mund të presim nga kjo qeveri e cila i ka ndërruar tre ministra të shëndetësisë secilin më të doptë dhe më të paaftë se tjetri, duke përfshirë edhe kryeministrin Kurti si të vet emëruar ministër të Shëndetësisë”, është shprehur ndër të tjera Zemaj.
Derisa ka shtuar se që 30 muaj në shëndetësi ka vetëm degradim dhe asgjë tjetër.
“Nuk po shohim punë, po shohim degradim. Asgjë, nuk presim fatkeqësisht me këta njerëz jo, nëse vjen një nomenklaturë tjetër ose një logjikë tjetër qeverisëse mund të ketë, por me këta njerëz që 30 muaj ka vetëm degradim”, ka deklaruar ai.
Artikullin e plotë të burimit Front Online mund ta lexoni këtu.