Ka kohë që informatat rreth dozës së tretë përforcuese ndaj COVID-19 kanë filluar të marrin hovin dhe në vendin tonë.
Qytetari nga Prishtina, Shaip Hajrizi thotë se nëse ekspertët shëndetësor do t’ia rekomandonin që të merrte një dozë të tretë të vaksinës do ta merrte atë pa hezituar.
“Normalisht që gjithçka çka kërkohet nga njerëzit kompentent sidemos në këtë rast prej ekspertëve të mjekësisë ne si qytetarë duhet t’i dëgjojmë ekspertët pasi ata e dinë më së miri nëse duhet një tjetër dozë e vaksinës andaj unë për vete do ta merrja edhe të katërtën nëse këtë e sugjerojnë ekspertët e mjekësisë”, shprehet Hajrizi për RTV Dukagjinin.
Njëjtë do të vepronte edhe qytetari tjetër Hamdi Sogojeva.
“Si të ketë nevojë, po! Ka shumë të vdekur për çdo ditë”.
Përderisa shumë vende kanë filluar të aplikojnë dozën e tretë të vaksinës COVID-19, pulmologu Flamur Marku thotë se me dozën e tretë do të ndjehej më i sigurt në vendin e tij të punës.
“Personalisht them se do ta marr dozën e tretë meqënse është rekomandim i OBSH-së dhe ekspertëve shëndetësor. Është rekomandim se shtetet e fuqishme mbajnë dhe kanë arritur sukses dhe një përqindje të madhe të mosinfektimit apo të moskomplikimit edhe po që se infektohesh – atëherë sigurisht që duhet të jem pro vaksinimit me dozën e tretë”, tha pulmologu Marku.
Mirëpo në anën tjetër epidemilogu Ilir Alimehmeti thotë se doza e tretë preferohet për të moshuarit dhe ata që kanë sëmundje kronike.
“Disa kategori të vecanta në njerëz me sëmundje që sistemin imunitar e kanë më të dobët apo në mosha shumë të vjetra edhe mund të diskutohet doza e tretë duke qenë se mund të mos arrijnë dot të të krijojnë një përgjigje imunitare të mjaftueshme me vetëm dy doza”.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia thotë se janë në pritje të rekomandimeve nga ekspertët shëndetësorë para fillimit të aplikimit të dozës së tretë të vaksinave.