Ferdane Myftari e cila deri pak javë ka qenë UD. Drejtoresh e Administratës dhe Shërbimeve të Përbashkëta në Spitalin Regjional të Mitrovicës ka adresuar ankesën e saj tek Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.
Deri tek ankesa e saj erdhi pas shkarkimit nga pozita e UD. Drejtoreshës së Administratës dhe Shërbimeve të Përbashkëta nga ana e Drejtoreshës Ekzekutive të spitalit të Mitrovicës, Luljeta Zhubi.
Sipas dokumentit të siguruar nga Gazeta Shneta, Myftari është ankuar se gjithaçka ka filluar për shkak të një trajnimi të organizuar nga ShSKUK, për të cilin ajo ka shkruar se është kërcënuar verbalisht nga menaxheri i personelit, Driton Selimi, për të sabotuar trajnimin, gjë e cila nuk kishte ndodhur nga ana e Myftarit.
Për kërcënimin verbal të Selimit, më tetë qershor Myftari e kishte paralajmëruar drejtoreshën Zhubi dhe UD. Drejtorin Mjekësore në Spitalin e Mitrovicës, Naser Jashari.
Ndërsa, disa ditë pas kësaj Myftarit i është kërkuar të lirojë pozitën e UD Drejtoreshës së Administratës, pozitë të cilën e kishte ushtruar rreth një vit.
“Vendimi për shkarkimin tim nga pozita UD. Drejtoresh e Administratës dhe Shërbimeve të Përbashkëta është vendim tendencioz, arbitrat, dhe i pa bazuar në arsye dhe si i tillë dëshmon veprimet sabotuese dhe kërcenuese të z.Driton Selimi – menaxher i personelit, veprime këto të shpërfaqura edhe në ankesën e datës 08.06.2022. Ju kam kërkuar që personit të lartëpërmendur të i tërhiqet vërejtja dhe të qëndrojë brenda kompetencave të tij që i takojnë sipas kontratës së punës. Por, në anën tjetër, ju keni ndërmarrë masa ndaj meje pa asnjë arsye duke më shkarkuar kështu nga pozita të cilën e kam ushtruar”, thuhet në ankesë.
Gazeta Shneta ka kontaktuar direkt Myftarin në lidhje me ankesën e saj për menaxherin e personelit të spitalit, Driton Selimi dhe ankesën e saj pas shkarkimit nga pozita, mirëpo ajo ka konfirmuar se nuk ka marrë asnjë përgjigje për dy ankesa e saj.
Për këtë gazeta gjithashtu ka tentuar të flas edhe me Driton Selimin mirëpo i njejti nuk është përgjigjur thirrjeve dhe mesazheve të gazetës.
Pas shkarkimit të Myftarit, Drejtoresha Zhubi pati sqarur se një vendim i tillë është marrë për shkak të riorganizimit të punës dhe tashmë në pozitën e Myftarit është vendosur zyrtarja për financa,Lutfije Gashi, në po të njejtën pozitë, Ushtrues Detyre, pasi që ende nuk është hapur konkursi për këtë pozitë. Në anën tjetër, Zhubi bënë të ditur se kah muaji shtator do të hapet konkursi, “pas pushimeve të verës”.
“Po. Riorganizimi i vendit të punës. Zyrtarën për Financa (e kam përcaktuar në këtë pozitë) po është UD deri në konkurs, e planifikojmë diku pas pushimeve verore diku në shtator”, thotë ajo, përderisa shton se vendimi për shkarkim të Myftarit ka qenë vendim i brendshëm.
Për shkarkimin e Myftarit pati reaguar edhe deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli. Ai ka kërkuar që të ndalet avazi i keqpërdorimeve të detyrës zyrtare. /Gazeta Shneta/
Shkarkohet nga pozita e ud. drejtoresha e Administratës në Spitalin e Mitrovicës, Ferdane Myftari