Ministria e Shëndetësisë ka investuar mbi 716 mijë euro për funksionalizimin e repartit të pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës.
Në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës sot është përuruar reparti i ri i pediatrisë i cili ishte ndërtuar qysh në vitin 2017 nga Shoqata shqiptare “Nënë Tereza” në Gjermani, shkruan Gazeta Shneta.
Ky repart është përuruar sot nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë Arben Vitia. Nga buxheti i shtetit vitin e kaluar dhe sivjet në këtë repart u investuan mbi 716 mijë Euro.
Këto para u investuan për renovimin e objektit i cili nuk ishte përdorur fare. Mbi 218 mijë Euro shkuan për renovim. Kontrata i ishte dhënë grupit të operatorëve “U-Unique” dhe “Axion Engineering”. Ndërsa projekti për punimet i kishte kushtuar MSH-së rreth 9 mijë Euro.
MSH ka investuar afër 490 mijë Euro për të furnizuar repartin me disa pajisje të laboratorit dhe monitorimit të pacientëve. Për këto pajisje MSh shpërbleu me kontratë për Lot operatorët “Madekos” dhe “NPT Medica”, me vlerë mbi 443 mijë Euro, ndërsa për Lot 2 kompaninë “Access Solutions” me kontratë në vlerë mbi 45 mijë Euro.
Shoqata “Nënë Tereza” kishte investuar në këtë objekt mbi 500 mijë Euro sipas një marrëveshje që kishte pasur me Shërbimin Spitalor Klinik Universitar. Në ndërkohë ishin bërë edhe disa investime në vlerë rreth 53 mijë Euro, por të cilat shoqata nuk mund t’i mbulonte. Këto pagesa të mbetura pezull e lanë edhe objektin pa u funksionalizuar.
Vitin e kaluar përmes një marrëveshje Shoqata “Jetimët e Ballkanit” e ndihmoi Ministrinë e Shëndetësisë duke paguar shumën e mbetur për të marr nën menaxhim këtë objekt. /Gazeta Shneta/