Nëse në një aksident trafiku, ose në ndonjë fatkeqësi tjetër, në Kosovë lëndohen më shumë se nëntë persona, ata vështirë se do të mundë ta gjejnë trajtimin në Klinikën Emergjente të QKUK-së. Kjo Klinikë tash e disa vite operon me vetëm një dhomë reanimimi, e cila ka vetëm nëntë shtretër për afro 2 milionë banorë sa ka Kosova. Gazeta Express ka biseduar me drejtorin e Klinikës Emergjente, Basri Lenjanin, i cili thotë se në këto kushte kujdesi emergjent mjekësor nuk është cilësor. Pacientëve dhe atyre që kërkojnë trajtim në këtë institucion u mbetet të shpresojnë në Emergjencën e re, që pritet të ndërtohet më 2019.
Mungesa e infermierëve, ndihmësinfermierëve, shtretërve, hapësirave, ilaçeve… janë disa nga vështirësitë me të cilat ballafaqohet Klinika Emergjente, si i vetmi shërbim emergjent i këtij lloji i nivelit terciar në Kosovë.
Në këtë Klinikë për çdo ditë trajtim kërkojnë 120 deri në 250 pacientë nga të gjitha rajonet e Kosovës.
Kjo situatë aty do të vazhdojë derisa të bëhet një zgjidhje tjetër: ndërtimi i Klinikës së re Emergjente.
Por, ky projekt nuk do të përfundojë edhe për së paku dy vite të tjera.
Udhëheqësit e kësaj Klinike thonë se që nga viti 2007 bëjnë kërkesa për ngritjen e kapaciteteve për Emergjencën.
Vetëm në dhomën e reanimacionit janë nëntë shtretër dhe gjashtë infermierë të cilët presin pacientët në raste emergjente.
Në një intervistë për Gazetën Express, drejtori i Klinikës Emergjente, Basri Lenjani, thotë se përveç mungesës së hapësirës dhe infrastrukturës, në Klinikën Emergjente duhet që në mënyrë urgjente të shtohet numri i infermierëve dhe ndihmësinfermierëve.
Sipas tij, së paku 30 infermierë të rinj e 12 ndihmësinfermierë janë të nevojshëm për këtë Klinikë.
“… Përkundër kësaj, ne kemi një mungesë prej më tepër se 30 infermierësh të cilët duhet të jenë në Klinikën Emergjente. Ngase kemi nëntë shtretër, çdo shtrat kërkon 2 deri në 3 infermierë për kujdes, ne i kemi 6 infermierë në dhomën e reanimacionit për 9 shtretër. Paramendoni në çfarë niveli të cilësisë është kujdesi emergjent mjekësor”, ka thënë Lenjani për Gazetën Express.
Ai tregon se në tri dekadat e fundit asnjë ndihmësinfermier nuk është pranuar në këtë Klinikë.
“Ne kemi kërkuar të paktën 12 ndihmësinfermierë të cilët do të kujdeseshin për të sëmurët, për higjienën, ushqimin si dhe bartjen dhe ekzaminimin radiologjik dhe laboratorik. Dhe deri më tash në këto 30 vitet e fundit asnjë ndihmësinfermier nuk është pranuar”, thotë Lenjani.
Klinika Emergjente në QKUK, po ashtu, ballafaqohet edhe me mungesë të barnave dhe materialit shpenzues. Disa prej tyre janë madje edhe në Listën Esenciale të Ilaçeve.
“Janë disa barna të gjeneratës së dytë dhe të tretë të cilat mungojnë dhe zakonisht lista esenciale është obligim i shtetit që ta sigurojë, ta plotësojë, jo obligim që Listën Esenciale ta plotësojë me 70 për qind siç ka qenë menaxhmenti i kaluar i MSH-së, është obligim dhe detyrim ligjor që Lista Esenciale të jetë mbi 90 për qind për të gjitha ato nevojat dhe kërkesat”, ka thënë Lenjani, duke theksuar se për momentin janë dy barna të Listës Esenciale të cilat mungojnë.
Rastet traumatologjike, në rritje
Rastet më të shpeshta që kërkojnë trajtim në këtë Klinikë, sipas drejtorit të Klinikës Emergjente, janë ato të traktit respirator.
“Rastet më të shpeshta që kërkojnë shërbime emergjente mjekësore, dominojnë sëmundjet e traktit respirator, pa i anashkaluar edhe sëmundjet e sistemit nervor qendror, sëmundjet neurologjike. Prej patologjisë së përgjithshme 70 % janë të natyrës së sëmundjeve akute, ndërsa 30% janë të gjendjeve traumatologjike, lëndimet në punë, në aksidente në komunikacion”, shpjegon Lenjani.
Ndërkohë që, sipas tij, si pasojë e aksidenteve në komunikacion, në baza ditore, shërim kërkojnë 12 deri në 34 persona të lënduar.
E me të gjitha këto vështirësi, Klinika Emergjente në QKUK, do të duhet të ballafaqohet edhe për një kohë të gjatë. Klinika e re pritet që të funksionalizohet deri në vitin 2019. Por, Lenjani zotohet se ata nuk do të barten në Klinikën e re pa u plotësuar të gjitha kushtet.
“Nuk ka hapje të Klinikës Emergjente pa u siguruar kuadri pikë për pikë. Ne jemi të detyruar që të vazhdojmë, si menaxhment i Klinikës Emergjente e kemi formuar grupin punës i cili ka për detyrë funksionalizmin e klinikës, listimin e pajisjeve, mjekëve dhe infermierëve për degët kirurgjike”, thotë ai.
Klinika e re Emergjente që po ndërtohet do të ketë një sipërfaqe bruto prej 17.359 metra katrorë, do të ketë 20 salla të operacionit të kategorive të ndryshme dhe shërbime të tjera që lidhen me Kujdesin Shëndetësor Emergjent.
Tenderi për ndërtimin e saj është shpallur në mars 2015, ndërsa kontrata është nënshkruar në qershor 2016 me operatorin ekonomik “Al Trade” në vlerë rreth 8 milionë euro. Investitor është Ministria e Shëndetësisë, kurse gurthemeli është vënë në korrik të vitit 2015. Mbi objektin e Emergjencës është paraparë edhe një pistë për aterim helikopterësh.