Është shtyrë ekzekutimi i vendimit të Inspektoratit të Punës për rikthimin e Basri Sejdiut në pozitën e drejtorit të SHSKUK-së.
Kjo shtyrje ka ndodhur pas aprovimit të kërkesës së Bordit Drejtues nga Gjykata Themelore në Prishtinë, shkruan Gazeta Shneta.
“Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, ka pranuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Aktvendimin A.nr.1690/2020, përmes së cilit është njoftuar se është aprovuar kërkesa e Bordit Drejtues të ShSKUK-së, për shtyrje të ekzekutimit të Vendimit të Inspektoratit të Punës, me nr. 7389 të datës 05.10.2020, për kthim në punë të ish-drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së, Basri Sejdiu, deri në vendimin definitiv gjyqësor, sipas padisë së bërë nga Bordi Drejtues i ShSKUK-së”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.
Në këtë njoftim thuhet se “Bordi Drejtues i SHSKUK, edhe njëherë shprehë bindjen se Vendimi për shkarkim të ish-drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së, është i drejtë dhe i bazuar”.
Sejdiu u shkarkua nga Bordi Drejtues më 6 korrik pas evidentimit të parregullësive dhe shkeljeve ligjore gjatë mandatit të tij, nga Auditori i Brendshëm dhe Zyra Kombëtare e Auditimit. /Gazeta Shneta/