Sulmet izraelite në afërsi të një spitali të madh në qytetin e Gazës po rrezikojnë jetën e mijëra civilëve të strehuar atje, thotë Shoqata Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe.
Tutje thuhet se një fëmijë dhe një i ri u goditën në gjoks dhe bark teksa qëndronin para spitalit dhe pësuan lëndime kritike.
Raportohet se janë dëmtuar edhe sistemi qendror i ajrit të kondicionuar dhe një nga rezervuarët e ujit.
Forcat Izraelite të Mbrojtjes akuzohen se kanë “qëlluar pa dallim”.
Zona pranë spitalit Al Quds, e cila është në lagjen Tel al-Hawa në perëndim të qytetit të Gazës, ka parë bombardime intensive izraelite ditët e fundit.
Stafi atje thotë se spitali strehon 400 pacientë, si dhe rreth 14,000 civilë që kërkojnë strehim aty.
Ushtria izraelite lëshoi një urdhër evakuimi për spitalin javën e kaluar, por stafi tha se transferimi i pacientëve të sëmurë rëndë që trajtohen aktualisht atje nuk do të ishte i mundur./Klan Kosova/