Sipas mjekëve specialistë, hemorragjia nga mitra mund të ndodhë edhe kur ju nuk jeni me menstruacione. Kjo është një shenjë e cila gjithmonë shkakton shqetësim tek secila grua, pa marrë parasysh moshën e saj. Hemorragjia e cila ndryshon nga menstruacionet normale është një shenjë alarmi.
Gjatë ciklit menstrual zhvillohen disa folikula dhe normalisht vetëm njëri nga këta rritet më tepër. Në ditën e katërmbëdhjetë të ciklit nga ky folikul lirohet qeliza vezë. Nëse kjo qelizë vezë bashkohet me spermatozoidin, atëherë vjen shtatzënia. Nëse qeliza vezë nuk bashkohet me spermatozoidin, atëherë shtresa e brendshme e mitrës (endometriumi) shkolitet dhe shfaqet gjakrrjedhja menstruale. Normalisht secila grua gjatë moshës reproduktive i ka menstruacionet çdo 21 deri 35 ditë, menstruacionet zgjasin 2-7 ditë dhe vëllimi i gjakut është rreth 80 mL. Është vështirë që të matet vëllimi i gjakut që humbet, por konsiderohet normale nëse i përdorni jo më shumë se tetë binde në ditë dhe nëse gjakrrjedhja është e shprehur jo më gjatë se dy ditë.
Shkaqet
Hemorragjia e çrregullt nga mitra shkaktohet nga faktorë të ndryshëm. Shkaku më i shpeshtë është shtatzënia. Gjakrrjedhja mund të shfaqet për shkak të polipeve ose miomëve. Më rrallë, shkaktohet nga problemet me gjëndrën tiroide, infeksioni ose kanceri i qafës së mitrës.
Te shumica e grave, shkaku i hemorragjisë është çrregullimi hormonal. Ky çrregullim është shumë më i shpeshtë tek vajzat e reja dhe tek gratë të cilat janë afër menopauzës. Te femrat e reja shkak i shpeshtë i hemorragjisë është shtatzënia. Shumë gra kanë hemorragji në fillim të shtatzënisë.
Gjatë shtazënisë kjo shkaktohet nëse nuk ndodh ovulacioni. Ovulacioni është lirimi i qelizës vezë gjatë ciklit menstrual. Nëse nuk ndodhë ovulacioni, atëherë prodhohet vetëm estrogjeni. Estrogjeni është hormon, i cili e bën shtresën e brendshme të mitrës (endometriumin) më të trashë. Për shkak të prodhimit të vazhdueshëm të estrogjenit, shtresa e brendshme trashet shumë dhe si rrjedhojë vjen deri te gjakrrjedhja e shtuar. Çrregullimet e ovulacionit janë më të shpeshta tek adoleshentet dhe tek gratë të cilat janë afër menopauzës.
Trajtimi
Një nga mënyrat e mjekimit janë pilulat kontraceptive. Këto pilula kanë hormone të cilat bëjnë që endometriumi të jetë i hollë. Njëkohësisht cikli menstrual rregullohet dhe dhimbjet menstruale janë më të vogla. Ka disa lloje të këtyre pilulave, prandaj patjetër duhet të konsultoheni me gjinekologun para se të vendosni të merrni këtë mjekim.
Mënyrë tjetër është vendosja e spirales brenda në mitër. Ekziston një lloj i spirales, e cila liron hormone dhe rrjedhimisht në mënyrë të konsiderueshme e zvogëlon hemorragjinë.