Hurmat sjellin shumë përfitime shëndetësore. Ato ndihmojnë për të reduktuar aneminë, hipertensionin, kolesterolin e lartë, diarrenë etj.. Që nga mesi i shtatzënisë secila grua fillon të mendojë për procesin e lindjes. Të gjitha shtatzënat duan që të kenë një lindje të lehtë, të shkurtër, të sigurt dhe një bebe të shëndetshme.
Normalisht, që ju dhe bashkëshorti juaj, bashkë me mjekun ju duhet ta përgatisni planin e lindjes. Për të qenë lindja më e lehtë duhet që t’i ndiqni me rregull orët edukative antenatale, duhet të këshilloheni rregullisht me mjekun tuaj, duhet të jetoni shëndetshëm dhe duhet që të në konsultim me mjekun tuaj t’i praktikoni ushtrimet fizike gjatë shtatzënisë, shkruan Femina.al.
Sipas një studimi nëse nëna shtatzënë han 6 hurma në ditë duke filluar nga java e 36 e shtatzënisë e deri në terminin e lindjes, gjasat janë më të mëdha që ajo të dilatohet më lehtë dhe që të lind në mënyrë spontane, pa pasur nevojë që të merr ilaçe për stimulimin e lindjes.
Ekzistojnë hulumtime në të cilat është studiuar efekti i konsumimit të hurmave në lehtësimin e lindjes (The Effect of Late Pregnancy Consumption of Date Fruit on Cervical Ripening in Nulliparous Women, autorë: Masoumeh Kordi ; Fatemeh Aghaei Meybodi; Fatemeh Tara; Mohsen Nemati; Mohammad Taghi Shakeri).
Ky është një studim klinik i randomizuar ku janë përfshirë 210 gra shtatzëna më një fryt (pra, jo me binjakë ose trenjakë), fryti prezentonte me kokë dhe mosha e shtatzënisë ishte 37-38 javë. Studimi u krye në Spitalin Omolbanin, Mashhad në Iran në vitin 2013. Këto gra u ndanë në mënyrë të rastësishme në dy grupe me nga 105 shtatzëna (grupi eksperimental dhe grupi i kontrollit). Duke filluar nga java e 37 e shtatzënisë, shtatzënat në grupin eksperimental hëngrën 70-75 gram hurma në ditë deri në momentin e lindjes, derisa shtatzënat në grupin e kontrollit morën kujdesin rutinor.
Rezultatet e këtij studimi treguan se Bishop score në pranim ishte më i madh në grupin eksperimental, krahasuar me grupin e kontrollit (sa më i lartë që të jetë Bishop score aq më e favorshme është lindja vaginale). Dilatimi i qafës së mitrës në pranim në grupin eksperimental ishte dyfish më i madh se sa në grupin e kontrollit. Poashtu, përqindja e induksionit të suksesshëm ishte me e lartë në grupin eksperimental.
Si përfundim, dilatimi i qafës së mitrës ishte më i madh te shtatzënat të cilat kishin konsumuar hurma, krahasuar me grupin e kontrollit të cilat kishin marrë kujdesin rutinor. Derisa hurmat janë fruta që japin energji dhe materie ushqyese, këta hulumtues e rekomandojnë për gratë shtatzënat në javët e fundit të shtatzënisë.
Ky studim është bërë në një numër të vogël të shtatzënave dhe rezultatet e tij mund të jenë të diskutueshme, por derisa hurmat janë fruta të shëndetshme, atëherë është mirë që t’i hani pa pasur frikë se mund ta rrezikoni beben tuaj.
Hurmat japin një efekt të ngjashëm sikurse dhënia e oksitocinës duke e bërë muskulin e mitrës më të ndjeshëm. Poashtu, konsiderohet se përveç stimulimit të kontraksioneve të mitrës, hurmat e ulin rrezikun për shfaqjen e gjakrrjedhjes pas lindjes.