“Puna me Covid ka qenë e vështirë dhe po vazhdon të jetë e vështirë”, tha infektologia e Klinikës Infektive, dr. Ajete Aliu-Bejta.
Me rritjen e vazhdueshme të rasteve në Kosovë, puna në Klinikën Infektive vazhdon të jetë e pandalur. Vetëm sot sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë u regjistruan 2033 raste të reja të prekur nga Covid-19.
Infektologia Aliu-Bejta në një intervistë për Gazeta Shneta, ka treguar se në mëngjesin e sotëm në Klinikën Infektive kanë qenë të hospitalizuar 88 pacientë.
“Janë 88 pacientë të hospitalizuar, prej tyre 80 janë me oksigjeni-terapi, ndërsa në kujdesin intenzivë e cila është zgjeruar edhe me një repart tjetër kanë qenë gjithsej 13, katër prej tyre kanë qenë me ventilim mekanikë”, u shpreh Aliu-Bejta.
E, sipas saj në mesin e të hospitalizuarve ka edhe pacientë të pavaksinuar e për të cilët kalimi i kësaj sfide ka qenë më i vështirë se sa për ata që tashmë kanë marrë dozat e vaksinave.
“Të gjitha njerëzit e vaksinuar që janë infektuar me COVID e kanë kaluar me forma të lehta të sëmundjes, duke përjashtuar disa më të moshuar që kanë ndonjë sëmundje shoqëruese, kronike, qoftë diabetë, tension apo ndonjë sëmundje tjetër të zemrës edhe pse të vaksinuar me dy doza por jo përforëcuese, kanë kaluar forma më të rënda të sëmundjes”, theksoi ajo për Gazeta Shneta.
Kurse, sipas saj të pavaksinuarit e kanë pasur më të vëshitrë kalimin e këtij virusi, pasi kanë manifestuar forma më të rënda të kësaj sëmundje virale.
Tutje, Aliu-Bejta bazuar në të dhënat e mëngjesit tregon që katër nga pacientët e hospitalizuar që janë me ventilim mekanikë, janë në gjendje të rëndë.
Andaj, infektologia këshillon që të gjithë ata që nuk janë vaksinuar ende të vaksinohen sa më parë dhe ata që nuk e kanë marrë dozën përforëcuese t’a marrin sa më herët.
“Duke qenë të vaksinuar mbrohemi nga format më të rënda të kësaj sëmundje”, tha ajo për fund.
Kujtojmë që në Kosovë momentalisht janë mbi 32 mijë raste aktive me COVID-19, shifra këto të cilat janë rritur javët e fundit me një fluks më të shpejtë, kjo si pasojë e përhapjës së variantit Omicron./Gazeta Shneta – Krenare Hoxha/