Me moton “Jetë të gjatë për të gjithë” është shënuar Dita Botërore e Imunizimit në Kosovë.
Vaksinimi mbetet njëra ndër mënyrat e vetme për të parandaluar shumë sëmundje në të gjithë botën përfshirë edhe coronavirusin.
Në ceremonin e organizuar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike ishte e pranishme edhe zëvendësministrja e Ministrisë së Shëndetësisë, Dafina Gexha, e cila tha se fokusi për vaksinim kundër COVID-19 do të jetë tek grupet e komuniteteve, ajo e cilësoi ende sfidues vaksinimit e tyre.
“Fokusi do të jetë edhe tek disa grupe më të cenuara para së gjithash të komunitetit rom, ashkalinj dhe egjiptian për arsye jo të panjohura vaksinimi i tyre mbetet ende sfidë e madhe”, tha Gexha para të pranishmëve.
Zëvëndësministrja tutje thotë se janë ofruar mundësi për vaksinim tek të gjithë qytetarët në Kosovë, për qytetarët të cilët jetojnë këtu por edhe për qytetarët transit.
“Kur të tjerët e filluan vaksinimimn tek ne dukej e pamundur mirëpo me angazhimin e të gjithëve sot ky është realiteti”, u shpreh ajo, duke shtuar se përvoja e fundit me pandeminë corona na ka treguar se përmes vaksinimit mund të shpëtohen shumë jetë.
“Jemi mbledhur këtu fillimisht të festojmë për arritjet në dy vitet e fundit kundër COVID-19. Përveç festës që do ta bëjmë gjatë kësaj jave do të bëjmë edhe aktivitet. Na pret një sfidë e madhe në vitet dhe muajt në vazhdim për të ngritur suksesin e vaksinimit të fëmijëve për të parandaluar të gjitha sëmundjet”, u shpreh Edita Haxhiu nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Kosovë.
Ajo tregon se në vitin 1990 mbi 1,1, miliard fëmijë janë vaksinuar kundër sëmundjeve parandaluese përderisa gjatë pandemisë së coronavirusit mbi 23 milion fëmijë kanë mbetur pa u vaksinuar.
“Në vitin 1990 më shumë se 1,1 miliard fëmijë janë vaksinuar kundër sëmundjeve parandaluese gjatë pandemisë 23 milion fëmijë mbetën pa u vaksinuar. 25 lloje të sëmundjeve të parandalueshme me vaksinë janë duke u menaxhuar në të gjithë botën në mënyrë më të mirë të mundshme”, tha ajo.
Ndërsa, Dafina Muçaj, nga zyra e UNICEF-it tregon se në një anketë të bërë nga UNICEF gjatë vitit 2019 ka dalur se 73 përqind e fëmijëve nuk janë vaksinuar me të gjitha llojet e vaksinave.
“Deri më tani janë verifikuar deri në 90 mijë fëmijë si dhe janë vaksinuar mbi 6 mijë fëmijë të cilët nuk e kanë marrë vaksinat sipas kalendarit të imunizimit”, bënë të ditur ajo, përderisa thotë se kanë arritur të sigurojnë frigorifer dhe dhoma të ftohta për të gjitha qendrat shëndetësore në nivele komunale.
Java e imunizimit për herë të parë është shënuar në vitin 2005, ndërsa vaksinimi për herë të parë është bërë në shekullin 18, përmes së cilës janë parandaluar shumë sëmundje në mbarë botën./Gazeta Shneta/