Në Shqipëri zbulohen 500 raste të reja çdo vit me kancer gjiri në gra dhe vajza, sëmundje që është shkaku i parë i vdekjeve nga tumori tek femrat në Shqipëri.
Ministria e Shëndetësisë ka vendosur kryerjen e ekzaminimeve falas me mamografë të lëvizshëm në çdo fshat apo qytet për diagnostikimin në kohë të kancerit të gjirit.
Mamografia e lëvizshme ka shkuar në Durrës, po ofrohet në Fier e më pas do të shkojë në Vlorë, Gjirokastër e Përmet, për ta përmbyllur muajin në Lezhë. Por, mamografët e lëvizshëm nuk do të ndalen, do të qarkullojnë gjatë gjithë vitit në Shqipëri.