Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka njoftuar rreth performancës dhe mbarëvajtjes së punës të Klinikës së Kirurgjisë Abdominale të QKUK-së.
Sipas njoftimit të dhënë, theksohet se kirurgët e Klinikës së Kirurgjisë Abdominale të QKUK-së kanë shënuar rritje për 25% të numrit të operacioneve të kryera nga kirurgët e kësaj klinike, përcjell Gazeta Shneta.
“Sipas raportit të punës së kësaj klinike, në nëntë muajt e parë të vitit 2023, janë kryer 1 mijë e 691 operacione, përfshirë operacione urgjente, por edhe ato të planifikuara, në programin e rregullt operativ”, thuhet në njoftimin e dhënë.
Ndër të tjera potencohet shërbimet e kryera nga kirurgët e Klinikës së Kirurgjisë Abdominale:
“Duke ju referuar të njëjtit raport, janë kryer edhe 303 intervenime endoskopike (ERCP), 147 Gastrokopi, 148 Kolonoskopi dhe shërbime të tjera të natyrës kirurgjike. Në kuadër te intervenimeve kirurgjike elektive ka dominuar Holecistektomia laparoskopike (heqja kirurgjikale e fshikëzës së tëmthit), kurse te sëmundjet urgjente ka dominuar trajtimi kirurgjik i apendicitit akut (zorra qorre), në kuadër të abdomenit akut si sindromë klinike”.
ShSKUK, ka thënë se numri i intervenimeve kirurgjike të realizuara në nëntë muajt a parë të këtij viti është i barabartë, pothuajse me intervenimet kirurgjike të realizuara gjatë krejt vitit të kaluar. /Gazeta Shneta/