Klinika e Mushkërive në QKUK po kërkon investime pasi përballet me probleme të shumta, me mungesë aparature, stafit mjekësor dhe hapësira
Ariana Ismaili
Klinika e Sëmundjeve të Mushkërive në QKUK zhvillon punën në objektin e Klinikës së Dermatologjisë, hapësirë kjo e ngushtë dhe jo e mjaftueshme për fluksin e pacientëve. Por ky nuk është problemi i vetëm, pasi që në këtë klinikë ka mungesë të antibiotikëve ,mungesë stafi dhe aparuaturave të nevojshme.
Përkundër mungesës së kushteve, në këtë klinikë pranohen rreth 1600 raste në vit me patologji të mushkërive si kanceri në mushkëri, tuberkulozi, bronhiti, astma etj. Drejtoresha e klinikës, Dr. Rukije Mehmeti e cila rishtas ka marrë këtë pozitë, pohon se kushtet nuk janë në nivel por thekson se me një kapacitet prej 65 shtretërve aty po trajtohen 95% të pacientëve, shkruan Gazeta Shneta.
“Ne trajtojmë tuberkulozin e rendit të parë ndërsa ai rezident trajtohet në Pejë, disa terapi pacientët janë të detyruar t’i blejnë e disa jo”, ka thënë ajo.
Mehmeti thekson nevojën e investimeve në klinikë për të përmirësuar kushtet dhe shërbimet ndaj pacientëve. “Kemi nevojë për aparatura të reja, barna dhe staf të infermierëve dhe mjekëve, e këto probleme rregullohen me investime në shëndetësi”, ka shtuar ajo.
Gjithashtu mjekja sqaron se vetëm rastet e rënda i drejtojnë jashtë vendit, ndërsa në disa raste pacientët mund t’i vazhdojnë në shtëpi. “Për çdo përkeqësim nuk do të thotë se është e nevojshme për t’u trajtu në spital, disa raste munden që në shtëpi t’i marrin terapitë”, ka thënë Mehmeti.
Më tej ajo ka vlerësuar se pacientët janë barrë për ne si shoqëri dhe secili nga ne duhet të jap kontributin e tij në çdo lloj forme, poashtu këshillon se qytetarët duhet të kujdesen për ambientin dhe ruajtjen e shëndetit ashtu siç kujdesen për individin e sëmurë. /Gazeta Shneta/