Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka inkurajuar të gjithë qytetarët për shfrytëzimin e të drejtës së tyre ligjore për të shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me trajtimin që ju bëhet atyre nga stafi mjekësor i ndonjërës nga klinikat e kësaj qendreje.
Kutitë e ankesave janë të vendosira në secilën nga klinikat, ku qytetarët dhe pacientët mund të shprehin shqetësimet, ankesat, vërejtjet apo lëvdatat e tyre për shërbimet që ofrohen në QKUK.
Sidoqoftë, në këto kuti shumë pak adresohen ankesa. Këtë e ka konfirmuar edhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.
Në një përgjigje për Indeksonline nga Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së thuhet se nuk janë gjetur ankesa nga pacientët, çka tregon se nuk po shfrytëzohen ato kuti.
“Zyra e drejtorit të përgjithshëm e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar e Kosovës, ju njofton se në Klinikat e QKUK-së, ekzistojnë kutitë e ankesave, në të cilat pacientët kanë mundësi të shprehin shqetësimet, ankesat, vërejtjet sugjerimet dhe lëvdatat e tyre nga përvojat e tyre personale gjatë trajtimit në QKUK. Komisioni prej 3 anëtarëve bënë hapjen e kutive të ankesave në të cilat nuk janë gjetur ankesa direkte nga pacientët. Pra, këto kuti shfrytëzohen pak nga pacientët”, thuhet në përgjigjën e tyr
Menaxhmenti i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës , në mars të vitit 2015 ka formuar një komision i cili merret me shqyrtimin e të gjitha ankesave të pacientëve që kanë të bëjnë me mënyrën e trajtimit dhe mjekimit të tyre.
Nga zyra e SHSKUK-së bëhet e ditur se muajt e fundit ky komision ka pranuar vetëm 5 ankesa, ku për këto të fundit janë tërhequr vërejtjet e klinikave.
“Krahas kutive të ankesave, brenda SHSKUK, ekziston edhe komisioni për trajtim të ankesave dhe shqetësimeve të qytetarëve i cili shqyrton në vazhdimësi ankesat që drejtohen në këtë institucion. Muajt e fundit ky komision ka pranuar 5 ankesa që kryesisht kanë pasur të bëjnë me komunikimin e stafit profesionalë. Komisioni pasi ka shqyrtuar ankesat ka tërhequr vërejtjen klinikave për ku kanë ardhur ankesat”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e SHSKUK.