Lista esenciale e barnave nuk është përditësuar fare tash e gjashtë vite në institucionet shëndetësore.
Kjo gjë ka bërë rreth 30 për qind të barnave nga 288 sa janë gjithësej të jenë të pa shfrytëzueshme, raporton KTV.
Për këtë gjë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës detyrohet që t’i ndajë një pjesë e buxhetit të saj – një milion euro – për blerjen e barnave që nuk gjenden në listën esenciale.
Qytetarët thonë se kjo po u kushton thuajse sa trajtimi në klinika private.
Në Shoqatën për të Drejtat e Pacientëve thonë se për realizimin e një liste funksionale, duhet të ketë kritere dhe ndryshimi i saj të bëhet në baza vjetore.
Mosndryshimi i listës esenciale për gjashtë vjet, sipas Ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka shkaktuar dëme financiare.
Ai premton se deri në fund të vitit, lista do të ndryshohet.
Përveç ndryshimit të listës esenciale të barnave, Ismaili thotë se do të rritet edhe buxheti për të, meqë këtë vit buxheti i ministrisë është rritur për 10 milionë.