Ish-kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, njëherësh edhe deputet i Partisë Demokratike të Kosovë, ka udhëtuar në Gjermani të premtën e kaluar, për shkak të problemeve shëndetëore.
“Ditën e premte Lushtaku ka udhëtuar për një vizitë mjekësore në Gjermani. Ai ka probleme me zemër”, ka thënë një burim i Gazetës Blic, i afërm me Lushtakun.
Lajmin e kanë konfirmuar edhe familjarët e Lushtakut, ndonëse nuk kanë dhënë ndonjë detaj se çfarë problemesh shëndetësore ka ish- kryetari i Skenderajt.
I biri i Sami Lushtakut, Mërgim Lushtaku, ka treguar se babai i tij ndodhet në Gjermani.
Ai ka thënë për Gazetën Express se Sami Lushtaku atje ka shkuar për një kontroll mjekësor.
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sami Lushtaku, edhe në kohën sa ishte në burg ka pasur probleme me gjendjen shëndetësore.