Deputeti nga radhët e Listës Guxo Burim Meta dhe ai nga PDK Bekim Haxhiu kanë akuzuar Bordin Drejtues të SHSKUK-së se po ndikon në përzgjedhjen e drejtorëve të klinikave.
Madje Meta ka përdorur shprehje të çuditshme ndaj anëtarëve të Bordit duke deklaruar se disa prej tyre po “kanë qejf të haliten”.
“Disa anëtarë të Bordit kanë qejf ngapak me u ‘halit’ në punën e tjerëve, ndoshta edhe kjo mund të jetë. Nuk dua të flasë me emra por unë mendoj se disa anëtarë të cilët janë pjesë e Bordit nuk e kanë vendin në Bord”, ka deklaruar Meta.
Në anën tjetër Bekim Haxhiu nga PDK thotë se fajin për mbetjen e disa pozitave me ushtrues detyre e ka Bordi dhe MSH.
“Është papërgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë dhe e Bordit të ShSKUK-së që tani e më shumë se 6 muaj ka shumë pozita udhëheqëse të cilat janë me ushtrues detyre kjo është njëfarë forme për t’i kontrolluar dhe për t’i shantazhuar ushtruesit e detyrës, për t’i pasur impakt edhe Bordi i ShSKUK-së edhe Ministria e Shëndetësisë tek këta udhëheqës në sektorin e shëndetësisë”, u shpreh Haxhiu.
Sipas tij, prioritet i Qeverisë për sektorin e shëndetësisë është bërë më shumë si biznes. Ai konsideron se ka pasur edhe emërime me baza partiake.
Ndaj këtyre akuzave ka reaguar Bordi i SHSKUK-së përmes një komunikate publike. Ata kanë thënë se nga 38 pozita të drejtorëve, 36 janë të përzgjedhur me konkurs. Bordi ka mohuar se ushtron ndikim në përzgjedhjen e tyre.
“Më tej, theksojmë se Bordi Dejtues i ShSKUK-së, nuk ndërhyn në punën e klinikave por mbikëqyrë dhe i mbështetë, përmes kompetencave ligjore që ka, sipas Statutit, pra punën e të gjitha institucioneve përbërëse të ShSKUK-së. Sqarojmë se të gjithë drejtorët e klinikave në ShSKUK janë zgjedhur në përputhje me legjislacionin në fuqi. Çdo pretendim që emërimet janë bazuar në përkatësi politike është i pabazë dhe minon punën e palodhur dhe përkushtimin e stafit tanë për të respektuar standardet më të larta të profesionalizmit dhe transparencës”, thuhet në reagimin e SHSKUK-së. /Gazeta Shneta/