Realiteti i Qendrës Klinike Universitare kuptohet lehtë, vetëm përmes vizitave e bisedave me pacientë dhe familjarë që presin me ditë e javë të tëra nëpër koridoret e klinikave. Përmes rrëfimeve të tyre kuptohet se si është gjendja, sa i përketë furnizimeve, pritjeve të gjata e sfidës për të blerë ilaçe aty këtu në ndonjë barnatore e cila shet barna me çmim më të ulët se pjesa tjetër e tyre.
Para koridorit të Klinikës së ORL-së në Qendrën Klinike Universitare qëndronin ulur familjarët. Ata po prisnin deri të përfundonte operimi i pacientit i cili ishte familjar i tyre.
Duke dashur të mbesin anonim, ata thanë për Gazetën Shneta se familjari i tyre kishte probleme me vesh andaj edhe duhej t’i nënshtrohej operimit.
Edhe pse pacienti pati nevojë për operim klinika nuk ishte e furnizuar me penj kirurgjik dhe rrjedhimisht familjarët janë të detyruar t’i sigurojnë ato apo në të kundërtën dështon operimi.
“Nuk na bonen shumë shtrejtë, amo nuk kish pas ktu e u dasht me ble”- sqaron njëri prej familjarëve.
Në të njejtën situatë ishin edhe familjarët e tjerë të cilët ishin detyruar të blenin penj kirurgjik.
Nga barnatorja qendrore arsyetojn se furnizimi me penj kirurgjik është në procedurë të prokurimit “dhe jemi në pritje të kontraktimit pas përfundimit të procedurave”.
Mos liferimi me kohë i disa llojeve të barnave në Kardiologjinë Invazive ka bërë që kjo klinikë të pësoj me mungesë të tyre e në anën tjetër familjarët të shpenzojnë nga xhepi i tyre për të siguruar barnat e nevojshme.
Pas një ataku kardiak, vjehrra e familjarës nga Suhareka është shtrir në Kardiologjinë Invazive për të vazhduar trajtimin mjekësor.
Familjarja tregon se janë detyruar të blejn disa lloje të barnave pasi që në këtë klinik nuk ka pasur.
Duke lëvizuar supet ajo thotë “Nuk e di sa kanë kushtu. Na thanë me i ble edhe i blejtëm”. Ajo ka blerë “Atrovastatinë” tablet 40 mg,”Clopidogrel” 75 mg tablet dhe “Spironolakton” 25 mg tablet.
Situatë hiç më e mirë nuk është as në Klinikën e Endrokrinologjisë. Edhe aty ka mungesë të barnave.
Njëri nga familjarët thotë se përveç që duhet t’i blejnë barnat, ata po ballafaqohen edhe me lëvizje të çmimeve të produkteve medicinale nga një barnatore në tjetrën.
“Në një barnatore këtu afër kam blerë “Albumina Humane” 33 euro më një barnatore më larg kishin qenë më lirë, diku 28 euro”- shprehet i shqetësuar ai në një prononcim për Gazetën Shneta.
Kosova është i vetmi vend në rajon i cili nuk ka Ligj që rregullon çmimin e barnave dhe materialeve medicinale.
Në vitin 2019, në kohën kur Ministria e Shëndetësisë menaxhohej nga Uran Ismajli hyri në fuqi Udhëzimi Administrati për përcaktimin e çmimit të barnave megjithkëtë asnjëherë nuk është zbatuar.
Projekt- ligji për rregullimin e çmimit të barnave ishte premtuar nga Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, që do të sjellet në Kuvend për miratim gjatë muajit shtator por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
“Udhëzimi të cilit i referoheni nuk ka mundur të zbatohet për arsye të ndryshme dhe një nga to ka qenë edhe pamundësia e sigurimit të listave referente zyrtare të çmimit të barnave nga disa shtete që ishin paraparë për t’u marrë si referenca çmimet e tyre, dhe të cilat nuk e kanë ofruar këtë”, kanë sqaruar ditë më parë nga ministria për Gazetën Shneta.
Si pasojë e kësaj, barnatoret shesin produkte medicinale pa pasur një rregullore e cila e përcakton çmimin e ilaçit.
Për një fenomen të tillë, Muhamedali Kodra, nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve, thotë se nuk duhet të fajsohen barnatoret.
“Barnatoret si çdo biznes tjetër, zhvillojnë aktivitet ekonomik që funksionon sipas rregullave të tregut (kërkesës dhe ofertës)”, pohon ai.
Sipas tij, gjendja e rënduar në shëndetësi nuk është vetëm se qëndron keq në furnizime por ai thotë se çdo hallkë në këtë sektor është duke qëndruar keq.
“Qeveritë deri më tash nuk e kanë marrë seriozisht reformimin e sistemit shëndetësor. Kjo formë e organizimit të sistemit shëndetësor nuk jep rezultat”, thekson ai për Gazetën Shneta.
Ndonëse mungesë të barnave ka në sektorin parësorë, dytësor e tretësor Ministria e Shëndetësisë thotë se furnizimi është plotësuar deri në 70 për qind.
Por, sipas Kodrës qytetarët e Kosovës nuk e kanë të qartë se çka do të thotë kjo përqindje kur mungesat janë të theksuara.
“Opinioni aktualisht nuk e ka të qartë se çka don të thotë: “Lista esenciale është plotësuar 70%”. Kjo shifër “magjike” është përdorur edhe kur buxheti për shëndetësi ka qenë 130 milion, e edhe kur buxheti është rritur mbi 200 milion”- nënvizon ai.
“Distribuimi i barnave është vetëm një sekuencë e shërbimit shëndetësor. Çdo bartje e fokusit qoftë në barna, qoftë në paga të stafit, qoftë në objekte apo pajisje, më shumë është zhvendosje e fokusit nga reforma se sa prioritetizim i një qështje të caktuar”, thekson poashut ai./Gazeta Shneta/