Një lajm i publikuar në media për ndalimin e mundësisë së punës në institucione private dhe publike të mjekëve dhe infermierëve me ndryshimet në ligjin nr.10107, datë 30.3.2009, “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, ka sjellë reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Përmes një deklarate për mediat, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale sqaron se një nga nenet e propozuara në ligjin e ri të kujdesit shëndetësor nuk ka të bëjë me ndalimin e dypunësimit të mjekëve, por me ndalimin e ushtrimit të dy profesioneve të ndryshme.
“Ndryshimi i propozuar lidhet me faktin se, kur një profesionist shëndetësor ka dy profesione, psh. stomatolog dhe farmacist, pra ka dy diploma, ai duhet të zgjedhë cilin profesion do të ushtrojë dhe ndërkohë duhet të pezullojë licensën tjetër” thuhet në deklaratë.
Ministria thotë se ndryshimi i propozuar është në përgjigje të shqetësimit të ardhur nga urdhrat profesionistë, pasi ushtrimi njëkohësisht i dy profesioneve shpesh ishte fiktiv.