Klinika e Oftalmologjisë nuk ka pranuar të komentojë akuzat që i ka bërë ish-drejtoresha e Neonatologjisë për verbërimin e fëmijëve
Bujar Vitija
Çështja e verbërimit të fëmijëve u rikthye sërish me dorëheqjen e drejtoreshës së Klinikës së Neonatologjisë në QKUK, dr. Mynevere Latifi-Hoxha.
Ajo tha se po jep dorëheqje për shkak se klinika të cilën e udhëhiqte u akuzua pa të drejtë për verbërimin e fëmijëve.
Latifi-Hoxha deklaroi se faji për verbërimin e fëmijëve është te Klinika e Oftalmologjisë në QKUK pasi nuk kanë qenë “të aftë për të detektuar problemin e retinopatisë” te të lindurit para kohe, shkruan Gazeta Shneta.
Madje ajo ngriti dyshime se edhe sot kjo klinikë është e aftë profesionalisht për ta bërë këtë ekzaminim.
Por këto deklarata të saj nuk ka pranuar t’i komentojë drejtori i Oftalmologjisë, dr. Florim Zejnullahu.
Ai ka thënë se për këtë çështje është formuar një komision i veçantë nga Ministria e Shëndetësisë dhe se ai është kompetent për të vlerësuar situatën në fjalë.
“Ata kanë identifikuar të gjithë aspektet e kësaj situate dhe besoj se së shpejti do të kemi një qëndrim zyrtar”, ka thënë Zejnullahu për Gazeta Shneta.
Zejnullahu e pranon se kanë mungesë të aparaturave dhe sub-specialiteteve të kësaj lëmie, por thotë se janë ngritur të gjitha kapacitetet e duhura.
“Klinika e Syve po ju për afrohet standardeve bashkëkohore për trajtimin adekuat te foshnjave prematurë dhe e gjithë kjo e përafërt me statistikat e vendeve te zhvilluara”, ka thënë ai.
Sipas Zejnullahut, Klinika e Syve ka bërë një kthesë për të mirë në dy vitet e fundit në të gjitha drejtimet dhe po punohet që trajtimi i rasteve me ROP të jetë në nivelin sa më të mirë të mundshëm. /Gazeta Shneta/