Shitja e produkteve të kozmetikës përmes rrjeteve sociale është dukuri në rritje çdo ditë e më tepër në Kosovë. Ato nuk mbikëqyren nga askush, ndërsa profesionistët shëndetësor thonë se këto produkte mund të rrezikojnë shëndetin e qytetarëve.
Edhe pse produktet të përgatitura jashtë laboratorëve farmaceutike, kanë ekzistuar prej shumë vitesh dhe askush nuk ka dhënë përgjegjësi për përmbajtjen e tyre, situatë e njejtë është duke vazhduar edhe në ditët e sotme.
Rrjetet sociale janë “të vërshuara” nga uebfaqet të cilat shesin produkte për lëkurë pa u penguar nga askush e pa dhënë llogari nëse janë të licencuar për të ushtruar një veprimtari të tillë.
Gazetarja e Gazetës Shneta ka kontaktuar me “Blinascrema”, “Humme Natyrale”, “Eracream” dhe “Blinasfacecream” me pretekstin se dëshiron të bleje krem për fytyrë.
Në përjashtim të “Blinasfacecream” asnjë nga uebfaqet tjera nuk ka pyetur për moshën e përdoruesit të kremit edhe pse sipas dermatologëve produktet e lëkurës duhet të përdoren në proporcion me moshën e personit. Madje gazetarja ka pyetur nëse posedojnë licencën për shitjen e këtyre produkteve, edhe pse thonin se janë të licencuar asnjëra nga këto uebfaqe nuk ka dërguar dëshmi për një gjë të tillë.
Gazeta po ashtu ka dërguar pyetje në këto uebfaqe edhe përmes email-it, mirëpo të njejtët nuk i janë përgjigjur pyetjeve.
Shumica e produkteve, sipas shitësve, kanë përmbajtje të vitaminave, vajrave eterike, qumësht blete e produkte të tjera bimore, e për të cilat garantonin se janë 100 për qind bio, dhe përmes tyre përdoruesit do t’i largohen aknet, rrudhat dhe fytyra e tyre do të pastrohet.
Çmimet e këtyre produkteve ishin nga më të ndryshmet.
“Shteti nuk mbanë përgjegjësi”
Remzie Thaqi, kryeshefe e Inspektoratit Farmaceutik thotë se kontrollimi i produkteve dhe pajisjeve medicinale bëhet sipas Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale ndërsa shton se nuk kanë pranuar ndonjë ankesë për produkte të tilla.
“Inspektorati farmaceutik bënë kontrollin e produkteve dhe pajisjeve medicinale sipas Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinal 04/L-190, dhe konform Ligjit bënë kontrolla periodike por edhe ne rastet kur kemi ndonjë Ankesë apo Kërkesë kryhen inspektime konform Ankesës/Kërkesës, nëse produkti apo pajisja i nënshtrohet këtij Ligji (04/L-190)”, arsyeton ajo në një përgjigje për Gazetën Shneta.
Për Milaim Abdullahu, nga Shoqata e Distributorëve Farmaceutik të Kosovës, produkte të tillë nuk do të duhet të shiten deri në momentin që prodhuesi e dëshmon se posedon licencën për prodhim.
“Çdo produkte dermo- kozemtik i cili nuk është i përcjellur me certifikatën e kualitetit prej anës së prodhuesit gjithçka është e dyshimtë. Çdo produkt dermo- kozmetikë që nuk është i përcjellur me certifikatë të kualitetit të prodhuesit ai nuk është i garantuar që ka efektë, mund të ndodh që ka shumë efekt mirëpo garancë nuk ka për të, por edhe nëse nuk ka efekt nuk ka kush të merrë përgjegjësi”, shprehet ai për Gazetën Shneta.
“Mjetet mjekësore janë të ndaluara rreptësisht të shiten online duke filluar prej tensimetrit, termometrit e krejt gjërave të tjera. Me ligj është e ndaluar shitja e tyre, me ligj është e ndaluar me u shit edhe paracetamoli në barnatore pa recet mirëpo te ne shitet. Inspektorati farmaceutik as që po merret me këtë punë”, thekson po ashtu Abdullahu.
Kremat e tillë të dëmshëm apo jo për lëkurën?
Sipas dermatologes, Sidita Sopjani, në popullsi është krijuar bindja që çdo produkt natyral është më i mirë se produktet sintetike të prodhuara në laboratorë, por ajo sqaron se trupi i njeriut njeh molekulën dhe nuk e bënë dallimin ndërmjet prodhuesit në laboratorë apo të marrë në natyrë.
“Produktet bimore “natyrale” nuk janë patjetër më të sigurtat. Bimët brenda kremit mund të jenë të certifikuara secila, por ajo që duhet të jetë e certifikuar duhet të jetë formula kimike e kombinimit dhe dozave të këtyre bimëve brenda kremit”, nënvizon ajo.
Dermatologia gjithashtu bënë të ditur se certifikimi i kremave përcillet përmes disa fazave eksperimentale “fillimisht në laborator, me pasë në kafshë, pastaj në grupe të ndryshme vullnetarësh human” ndërsa thekson se çdo produkt qoftë “natyral” apo i prodhuar në laboratorë mund të shkaktojë reagime alergjike, ndërsa ajo thotë se disa produkte të cilët shiten si “natyrale” mund të shkaktojnë edhe irritime të lëkurës, djegië, hiperpigmentime, toksicite e probleme të tjera të lëkurës.
“Të rekomandueshme janë produktet farmaceutike të certifikuara. Konsumatorët duhet të mësojnë të lexojnë etiketat ku shënohet përmbajta e produktit. Prandaj gjithmonë duhet të konsultohet paraprakisht dermatologu kur bëhet fjalë për produkte që përdoren në lëkurë”, tregon ajo.
Gazeta ka dërguar pyetje edhe në Agjencinë për Produkte me Pajisje Medicinale mirëpo të njejtit deri në publikim e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.
Ligji për Produktet dhe Pajisjet Medicinale
Agjencia Kosovare Për Pajosje Medicinale është organ i pavarur ekzekutiv i Ministrisë së Shëndetësisë me subjektivitet juridik, që kanë të bëjnë me produktet dhe pajisjet medicinale për përdorim njerëzor.
Ndonëse Ligji për Produkte dhe Pajisje Medicinale nuk e specifikon çështjen e produkteve kozmetike, Neni 10 poseduesi i Autorizimit për Prodhim në Republikën e Kosovës duhet të ketë në dispozicion të tij, në mënyrë të përhershme dhe të vazhdueshme, të paktën një person përgjegjës të kualifikuar për prodhim dhe një person për sigurimin e cilësisë së secilës seri të prodhuar, si dhe staf të kualifikuar, objekte dhe pajisje për të prodhuar produkte medicinale
“Personi i kualifikuar përgjegjës për lëshim të serisë në treg do të jetë përgjegjës për rezultatet dhe certifikimin e çdo serie të produkteve medicinale të prodhuara dhe të kontrolluara në Republikën e Kosovës”, thuhet në ligjin për Pajisje dhe Produkte Medicinale.
Importuesi do të mbajë të dhëna të detajuara mbi të gjitha aktivitetet relevante siç janë të specifikuara në Autorizimin e Importit, të dhënat e tilla duhet të përfshijnë informatë të plotë mbi të gjitha produktet medicinale dhe seritë e nxjerra në treg, burimin e tyre dhe destinimin direkt./Gazeta Shneta/