Po mendoni për pushimet dhe nuk dini se ku të shkoni me të voglin tuaj?! Ja disa këshilla për zgjedhjen e destinacionit dhe mjetit të përshtatshëm të transportit.
Në det
Përveç rrezikut të djegies nga dielli dhe dehidratimit (janë të domosdoshme; krem dielli, ujë, çadër, kapelë dhe syze dielli!), ajri i detit është gjallërues për fëmijët, sidomos nëse vuajnë nga ekzemat. Kujdes ama, klima mund t’i bëjë nervozë fëmijët pak muajsh , që për disa ditë do të kenë probleme me gjumin. Ju këshillojmë të shkoni me pushime në plazh vetëm një herë derisa fëmija juaj të dijë të rrijë ulur, sepse do të jetë më e lehtë të shmangni bezdisjen e shkaktuar nga rëra, dhe mos harroni: nëse fëmija është nën 6 muajsh, një orë në ditë plazh, do të jetë mëse e mjaftueshme.
Në mal
Nëse preferoni malin, mos u ngjisni shumë lart, përtej 1500 metrave mbi nivelin e detit, fëmijës ka të ngjarë t’i shkaktohet një “otit barotraumatik” –sëmundje e veshit e shkaktuar nga ndryshimi i papritur i presionit të ajrit, gjatë ngjitjeve apo zbritjeve shumë të shpejta.
Mos merrni teleferik apo impiante të tjera ngjitjeje dhe bëni gjithmonë nga një copë herë pushim për t’u përshtatur, kur ndryshoni lartësi. Merrni një karrocë fëmijësh për udhëtim ose një çantë alpine që mban fëmijën me pjesë të fortë nga ana e shpinës. Në dimër, mbani mend se temperatura e trupit të fëmijës, bie shpejt. Në verë, vishini këpucë të përshtatshme fëmijës, sidomos nëse ka nisur të marrë hapat e parë. Ajri i malit u bën mirë fëmijëve, por mos harroni se edhe atje dielli rreh fort!
Në fshat
Fshati është destinacionit ideal për një fëmijë të vogël. Fëmija juaj, që ende fle shumicën e kohës, ka nevojë për një ritëm të qëndrueshëm dhe fshati ka një klimë të butë, të matur dhe ju ofron të gjithë qetësinë që mund të dëshirohet. I vetmi rekomandim që mund t’ju bëjmë është të keni gjithmonë me vete produkte të dobishme kundër mushkonjave. Në treg ka specifike për fëmijët, shkruan bebja.com.
Jashtë vendit
Të eksplorosh botën e madhe në shoqërinë e një fëmijë të vogël, kërkon guxim dhe përgatitje. Para se të niseni, informohuni cilat janë vaksinat e detyrueshme (tifo, verdhëza, malaria …) për të hyrë në vende të caktuara dhe kërkojini analizat e nevojshme pediatrit tuaj. Merrni diçka kundër mushkonjave për natën dhe mos harroni pasaportën e fëmijës! Gjithashtu përpiquni të imagjinoni se cilat janë problemet që mund të hasni në vend (ku të gjeni pelena, si të sterilizoni biberonin nëse uji i rubinetit nuk është i pijshëm …) dhe si t’i zgjidhni ato.
Në çdo rast, ju këshillojmë të shmangni zonat tropikale, që gëlojnë nga parazitët për shkak të lagështisë dhe të drejtoheni më shumë nga vende me infrastrukturë të fortë mjekësore (Evropë Perëndimore, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara).
Të udhëtosh me makinë
Organizoni çantat në bagazh, për të parandaluar që të bien mbi fëmijën tuaj në frenimin e parë të fortë, dhe vendosni gjërat bazike (pelena, ndërresa …) në një çantë dore. Ndenjësja e fëmijës duhet të jetë e testuar dhe nëse e mbani atë në sediljen e pame, mos harroni të çaktivizoni airbag –un. Bëni një pushim çdo dy orë; të gjithë keni nevojë të shpini këmbët! Kurrë mos e lini fëmijën vetëm në makinë, edhe nëse është në gjumë, dhe informohuni ku ka vende buzë rrugës ku mund të ushqeheni dhe të ndërroni pelenat e fëmijës.
Të udhëtosh me tren
Treni është mjeti i transportit ideal për një fëmijë të vogël! Mund të kujdeseni për fëmijën 100%, pa pasur nevojë të mbani një sy nga rruga. Një tjetër avantazh i trenit: lëvizja e tij duket sikur e përkund fëmijën, i cili do të flejë në shumicën e udhëtimit. Për të mos prishur qetësinë e udhëtarëve të tjerë, prenotoni një kabinë dhe mos merrni shumë bagazhe.
Të udhëtosh me avion
Ky mjet transporti nuk rekomandohet për foshnjat e sapolindura dhe fëmijët e vegjël, të cilët shpesh vuajnë nga infeksionet e veshit. Për të shmangur dhimbjet e veshit te fëmija, jepini për të pirë para, gjatë dhe pas fluturimit duke u siguruar që të përtypë mirë.
Për të mbajtur të zënë fëmijën tuaj gjatë fluturimit përgatit një qese me librat, lodrat dhe kukullën e preferuar. Kur udhëtoni në avion me një fëmijë mund të përfitoni nga disa shërbime: shpesh bileta është falas për fëmijët nën 2 vjeç, mund të përfitoni duke hipur të parët, një djep portativ dhe një tualet për të ndërruar pelenat janë në dispozicionin tuaj gjatë fluturimit. /Gazeta Shneta/