Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik Prof. Naser Ramadani, ka deklaruar se numri i të prekurve me koronavirus do të rritet për shkak se ende jemi në hyrje të epidemisë. Ramadani ka deklaruar se disa qytetarë nuk po i respektojnë rekomandimet duke mbajtur tubime dhe kjo rrezikon të mbingarkojë epideminë e koronavirusit në Kosovë.
“Presim të rritet shkalla e infektimit, të arrijë kulmin dhe pastaj të bjerë. Ne jemi tek në hyrje, prandaj kërkojmë durim nga qytetarët, të mos dalin dhe të mos rrinë grumbull”, ka thënë Ramadani për Klan Kosova.
“Ne po futemi në epidemi, në çdo fazë jemi në epidemi. E kemi pasë fazën përgatitore më 1 janar, më pas kemi nisur përgatitje kur disa vende botërore kanë shpallë gjendje emergjente. Jemi në etapën e tretë dhe po përpiqemi që ta mbajmë situatën nën kontroll”.
“Bashkëpunimi me qytetarë është mëse i domosdoshëm për mospërhapjen e virusit. Duke mos dalë nuk do të kemi epidemi. Të gjitha elementit që i përkasin një epidemie i kemi prit, nga resurset humane, çështjet e zbatimit në terren. Ka disa grupe që ende mbajnë tubime, syneti dhe dasma jo vetëm e mbingarkon situatën epidemiologjike në Kosovë”.
“Masat e ndërmarra janë bërë para kohe, shumë shtete janë të vonuara. Ne kemi ndërmarrë me kohë – prej ndërprerjes së shkollave. Situata epidemiologjike po mbahet nën kontroll”.