Çështjen e ushtruesve të detyrës në Ministrinë e Shëndetësisë, Uran Ismaili ia kishte caktuar vetes si prioritet për ta rregulluar. Por edhe pesë muaj pas ardhjes së tij në këtë pozitë, ushtruesit e detyrës mbesin në fuqi
Pozitat e larta në Ministrinë e Shëndetësisë vazhdojnë të udhëhiqen nga Ushtrues Detyre. Për këtë kishte dhënë vërejtje edhe Zyra Kombëtare e Auditorit në raportin për vitin 2016. Uran Ismaili kur erdhi para pesë muajsh në pozitën e ministrit, tha se shtatë pozitat me U.D. janë një nga problemet më të mëdha që i kishte gjetur dhe kishte premtuar zgjidhje të shpejtë, shkruan Gazeta Shneta.
Ministri Ismaili kishte deklaruar se nuk ka reforma me ushtrues detyre. Por ushtruesit e detyrës mbeten në fuqi derisa ai po pretendon se është duke bërë reforma
“Me shtatë ushtrues detyre të pozitave të larta besoj se nuk mund të ketë reforma reale. Ky është patjetër prioritet që duhet të rregullohet sa më shpejt. Shumë shpejt do të shpallim konkurse për pozitat e larta. Mos të zihet peng ministria”, kishte deklaruar Ismaili.
Por edhe pas pesë muajsh ardhje në këtë dikaster, Ismaili nuk ka arritur që t’i plotësojë këto pozita me drejtorë. Reformat që po i pretendon në shëndetësi, po mbahen peng tashmë nga vet ai. Për këtë çështje Zyra për Media e MSH-së nuk ka kthyer përgjigje edhe pas një javë pritjeje.
Njëjë është edhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i cili po mbahet me U.D. prej muajit tetor kur pati dhënë dorëheqje Curr Gjocaj. Me ushtrues detyre janë edhe klinikat e QKUK-së dhe Spitalet e Përgjithshme.
Zyra për Media e SHSKUK-së thotë e Bordi Drejtues në mbledhjen e fundit ka marr vendim që të shpallet konkursi për të gjitha spitalet e përgjitshme të cilat janë me U.D.
“Konkursi do të shpallet edhe për drejtor të Qendrës Kombëtare të Telemjekësisë, Qendrës Kombëtare të Mjekësisë Sportive dhe Qendrës Kombëtare të Mjekësisë së Punës Gjakovë. Poashtu për drejtorë të Qendrave Profesionale të Shëndetit Mendor”, thuhet në përgjigjen për Gazeta Shneta.
SHSKUK thotë se Dr. Basri Sejdiu vazhdon të mbetet U.D. i Drejtorit të Përgjithshëm dhe nuk e di se kur do të shpallet konkursi nga Bordi për këtë pozitë. Ky organ është duke punuar për disa ndryshime në Statut, ndërsa konkursi për drejtorë të klinikave të QKUK-së planifikohet të shpallet më vonë. /Gazeta Shneta/