Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ia ka hedhur fajin bombardimeve të Aleancës Veriatlantike gjatë luftës në vitin 1999, për numrin e madh të pacientëve të prekur nga kanceri.
Vuçiq ka deklaruar se municioni me uranium të varfëruar është njëri nga faktorët kryesor që po shkakton kancerin tek të rinjtë serbë. Këtë deklaratë ai e ka dhënë gjatë një vizite në Institutin Onkologjik, transmeton Express.
Vuçiq madje ka thënë se do të kërkojë llogari për siç e ka quajtur ai “këtë krim të paprecedentë”. Por menjëherë ka reaguar ambasadori i SHBA-së në Serbi, Kyle Scott. Ai ka thënë se uraniumi i varfëruar nuk shkakton rrezik shëndetësor në asnjë vend ku është përdorur.
Scott ka bërë të ditur se municioni me uranimin e varfëruar është përdorur ekskluzivisht në Kosovë dhe më pak në rajonin e Preshevës dhe Bujanocit. Sipas tij, disa epidemiologë dhe radiologë serbë kanë bërë hulumtime të pavarura dhe nuk kanë gjetur dëshmi se uraniumi i varfëruar ka shkaktuar probleme shëndetsore tek serbët.