Kirurgët e QKUK-së kanë deklaruar se grevës së tyre iu janë bashkuar edhe katër spitale të përgjithshme, mirëpo drejtorët e këtyre institucioneve i kanë demantuar. Ata kanë thënë për Gazetën Shneta se kanë hyrë në grevë vetëm ditën e parë, e më pastaj puna ka vazhduar normalisht
Që nga fillimi i grevës së tyre në dhjetor të vitit të kaluar, kirurgët e QKUK-së kanë deklaruar se organizimit të tyre iu janë bashkuar edhe spitalet e përgjithshme. Ata kanë përmenduar Spitalin e Gjilanit, Gjakovës, Mitrovicës dhe së fundmi edhe Ferizajt. Por drejtorët e këtyre institucioneve kanë mohuar se janë në grevë.
Dr. Nisret Hajrullahu, drejtori i Spitalit të Gjilanit, ka thënë se grevës së kirurgëve i janë bashkuar në ditën e parë në shenj solidarizimi por më pastaj puna ka vazhduar puna. “Ka pas një solidarizim me kirurgët në Prishtinë, por megjithatë në spitalin tonë punohet në rrethana normale. Asnjë shërbim nuk ka grevë”, ka deklaruar Hajrullahu, shkruan Gazeta Shneta.
Dr. Ahmet Asllani, drejtor i Spitalit të Gjakovës, ka thënë se kirurgët e këtij institucioni në fillim kanë hyrë në grevë por pastaj janë tërhequr. “Ata janë tërhequr nga greva dhe të gjitha rastet tani punohen dhe asnjë nuk dërgohet në Prishtinë. Kryhen të gjitha vizitat, pastrimi i plagëve, terapia, ambulanca specialistike punon. Puna ka vazhduar normalisht dhe në Spitalin e Gjakovës nuk ka grevë”, është shprehur Asllani.
Dr. Enis Istrefi, drejtor i Spitalit të Mitrovicës, ka thënë se në këtë institucion është mbajtur grevë një ditore si paralajmërim, por mjekët më pas kanë vazhduar punën. “Ka qenë një paralajmërim, një grevë një ditore dhe pastaj është pezulluar deri në një vendim të ardhshëm. Më shumë ka qenë si përkrahje për kolegët e tyre dhe tani po pritet vendimi i Kuvendit dhe vendimi i sindikatës. Puna po vazhdon normalisht”, ka thënë Istrefi për Gazetën Shneta.
Dr. Jeton Zeqiri, drejtor i Spitalit të Ferizajt, ditë më parë në një email drejtuar Gazetës, ka mohuar se mjekët janë në grevë. “Dje me datë 15.01.2019 një grup i mjekëve kanë bërë një peticion si mbështetje të grupit grevist të Ortopedisë dhe Kirurgëve pran QKUK-së e cila më shumë ka qenë si një lloj solidarteti ,ndërsa sot me datë 16.01.2019 në grevë 24 orëshe në Spitalin e Përgjithshëm kanë qenë vetëm Ortopedët”, ka shkruar Zeqiri në këtë email.
Ai më pas ka konfirmuar se greva është ndërprerë pas një takimi që kishin mbajtur edhe me Ardian Ferizin, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë. /Gazeta Shneta/