Gurthemelit për ndërtimin e spitalit të ri rajonal në Ferizaj iu gëzuan personeli dhe pacientët e kësaj ane pasi që pemtohej se objekti i përketë standardeve moderne ndryshe nga spitali aktual i cili nuk përmbushë kërkesat minimale. Fillimi i ndërtimit të spitalit konsiderohej objekti infrastrukturor më i rëndësishëm për Komunën e Ferizajt.
Projekti për ndërtimin e Spitalit Rajonal në Ferizaj pati filluar që nga viti 2013 por vetëm pas pesë viteve do t’i vihej gurthemeli, në vitin 2018 për të mos u finalizuar në vitin 2021, ashtu siç parashihej.
Punimet u ndalën në gjysmë, rreth dy vite më parë, me arsyetimin e mungesë së fondeve. – sipas planit punimet e objektit të ri pritej të finalizoheshin në vitin 2021 por një gjë e tillë nuk ndodhi as në qershor të këtij viti.
Në buxhetin për shëndetësi Qeveria nuk ka ndarë fond të veçantë për ndërtimin e Spitalit të ri në Ferizaj mirëpo janë bartur 1,1 milion euro nga buxheti i ndarë në vitin 2021 ndërsa për ndërtimin e spitalit Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar kontratë 10 milion e 235 mijë euro me kompaninë “Arbëria Com”.
Anëtari i Komisionit për Shëndetësi, Shemsedin Dreshaj, thotë se problemet e konkluduara për pronësin do të duhet t’i tejkalojë qeveria aktuale dhe punimet të vazhdojnë.
“E di që ka pas probleme me pronësin mirëpo të gjitha këto duhet qeverisja aktuale t’i tejkaloj në mënyrë që pacientët të kenë shërbim adekuate në një institucion shëndetësorë”, vlerëson Dreshaj.
Ai gjithashtu thekson se qeveria i ka ndërprerë investimet kapitale në secilën komunë e që sipas tij shumëçka është duke shkuar mbrapshtë.
“Kjo qeveri i ka ndërprerë investimet kapitale ne secilen komunë. Në situatën e pandemisë deri sa largojnë infermier nga puna, largohen mjekët ndalet stimulimi për punë në mes të pandemisë nuk rriten rrogat dhe buxheti për Ministrinë e Shëndetësisë nuk duhet shumëçka që kjo shoqëri të marrë në konsideratë dhe të rivlerësojë, për shkak se vërtetë punët nuk janë duke na shkuar mirë”, shton deputeti në një prononcim për Gazetën Shneta.
Besim Kodra, kryetar i Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve të Kosoës – PRAK, e konsideron vonesë enorme mos ndërtimin e spitalit të Ferizajt, vonesë e cila, sipas tij, ndikon drejtpërdrejtë tek pacientët.
“Arsye pse ka filluar ndërtimi i spitalit të ri të Ferizajit kanë qenë pikërisht kushtet e pa mjaftueshme si për ofrim ashtu edhe për pranim të shërbimeve shëndetësore. Megjithatë ka një vonesë enorme të ndërtimit të këtij spitali. Kjo vonesë ndikon drejtëpërdrejtë në qasjen e pacientëve në shërbimet e nevojshme shëndetësore”, thekson Kodra për Gazetën Shneta.
Gazeta Shneta ka kërkuar sqarim edhe nga Ministria e Shëndetësisë në lidhje me ndërprerjet e punimeve në objektin e ri të spitalit mirëpo të njejtët nuk janë përgjigjur.
‘Objekti i vjetër – spital i improvizuar’
Spitali Rajonal në Ferizaj në të cilin kërkojnë ndihmë mjekësore pesë komuna funksionon pa reparte bazike për ofrimin e shërbimeve shëndetësore.
Spitali nuk ka repart të Infektivës, Pulmologjisë apo të mushkrive, Neonatologjisë, Mjekësisë Intensive dhe Gjysëm Intensive dhe Njësisë Nukleare.
Personeli shëndetësor në këtë spital thonë se spitali aktual në Ferizaj nuk i përmbushë as kushtet elementare për të punuar dhe ofruar shërbime shëndetësore për pacientët. Duke filluar nga hapësirat e ngushta e mundësia për të rritur kapacietet në shtretër, mungesa e aparaturave dhe reparteve në këtë objekt.
Si pasojë e hapësirës së kufizuar në objektin e spitalit, personeli shëndetësore është i kufizuar në ofrimin e shërbimeve shëndetësore, thotë UD.Drejtori i Spitalit Publik, Isa Berisha – “Për këtë jemi në kontakt të vazhdueshëm me Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës dhe përkundër përkrahjes së tyre është e vështirë të bëjmë më shumë se kaq në një ndërtesë Spitali të adaptuar dhe të stërvjetëruar”.
Mungesa e reparteve ka detyruar mantelbardhët që t’i orientojnë pacientët për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kështu duke u rritur numri i referimeve.
“Po (i referojm për në QKUK) Përshkak të mungesës së reparteve të reja dhe përshkak të hapësirave dhe vendeve të kufizuara në repartet ekzistuese”, shton ai.
Berisha vlerëson se zgjidhja më e mirë për personelin shëndetësorë por edhe për pacientët është ndërtimi sa më parë i spitalit të ri në mënyrë që të mund të ofrohen sa më tepër shërbime për pacientët si dhe stafi të punojë në kushte më të mira.
Gjatë vitit 1999 Shtëpia e Shëndetit – spitali aktual në Ferizaj- ishte shëndrruar në vendin ku strehoheshin personat e plagosur dhe u jepej ndihma e parë mjekësore. Më pas Shtëpia e Shëndetit nisi punën me tre reparte kështu duke u shëndrruar në spital i cili funksionon ende. /Gazeta Shneta/
Objekti i ri i Spitalit Rajonal ne Ferizaj
FOTO: Gazeta Shneta