Spitali i Vushtrrisë vitin e kaluar ka blerë oksigjen pa bërë fare kontratë me operatorin ekonomik, duke humbur kështu mbi 20 mijë euro tek përmbaruesi privat.
Spitali rajonal i Vushtrrisë i ka paguar vitin e kaluar 20 mijë e 709 euro një operatori ekonomik për furnizim me oksigjen. Këto para janë paguar pa pasur fare kontratë, shkruan Gazeta Shneta.
“Blerja e oksigjenit ishte kryer pa ndjekur procedurat e prokurimit. Pagesa është ekzekutuar përmes vendimeve gjyqësore, pasi që zyrtarët përgjegjës për procedim të pagesës nuk kanë kryer pagesën dhe OE ka dërguar lëndën te përmbaruesi privat dhe ka fituar rastin”, thuhet në raportin e auditorit.
Në arsyetimin e dhënë nga menaxhmenti i spitalit, është thënë se oksigjeni është blerë duke anashkaluar procedurat për shkak të situatës emergjente me pandeminë Covid-19.
Vitin e kaluar ish-drejtori i spitalit Mursel Pllana së bashku me drejtorin operativ Mujë Ferati e patën pranuar publikisht se janë furnizuar jashtëligjshëm me oksigjen nga kompania “Lindi Group” e cila nuk ishte e licencuar fare. Pllana e Ferati i patën bërë thirrje MSH-së dhe SHSKUK-së që t’ia paguante kompanisë 19 mijë euro për oksigjenin. Pllana më vonë ishte shkarkuar nga kjo pozitë.
ZKA tutje në raport ka shkruar se shpenzimet që nuk kërkojnë prokurim janë vetëm pagat, shpenzimet e paguara me para të imta, avancat për udhëtime, komunalit, subvencionet dhe Transferet dhe transaksionet ndërdepartamentale.
“Blerja e oksigjenit pa procedura të prokurimit përveç që është në kundërshtim me rregulloren, ka ndikuar edhe në shpenzime shtesë pasi që spitali nuk ka kryer pagesën dhe OE ka dërguar lëndën te përmbaruesi privat dhe ka fituar rastin. Bordi Drejtues dhe Drejtori i Spitalit, duhet të sigurojnë se në rastet emergjente të shpenzimeve të përdorin procedurën e negociuar sipas Ligjit të Prokurimit”, thuhet në raport. /Gazeta Shneta/