Kampionia e botës në xhudo, kosovarja Majlinda Kelmendi, e ka mirëpritur vendosjen e gurëthemelit për ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Sportive dhe Klinikës së Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim
Sportistë të shumtë duke përfshirë kampionen e botës në xhudo, Majlinda Kelmendi, ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, drejtori i SHSKUK-së, Dr. Basri Sejdiu, kanë marr pjesë sot në vendosjen e gurëthemelit për ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Sportive dhe Klinikës së Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim.
Punëtorët e kompanisë ndërtuese kishin përgatitur një gropë dhe një karrocë me beton për ceremoninë e vendosjes së gurëthemelit. Ishin sportistët ata që hodhën betonin në gropë. Majlinda e nisi e para me një lopatë, kurse në fund me duart e saj të fuqishme e ngriti karrocën për ta zbrazur të gjithë sasinë e betonit në gropë, shkruan Gazeta Shneta.
Ajo u shpreh e lumtur për ndërtimin e kësaj Qendre pasi ka thënë se nuk do të ketë nevojë të shkojë nëpër spitale private për të paguar trajtimet e incizimet.
Majlinda Kelmendi ka deklaruar se nisja e ndërtimit të kësaj qendre është ditë e rëndësishme për sportin e Kosovës për çka ka pasur nevojë të madhe. “Unë qysh prej vitit 2015 kam shumë probleme me lëndime dhe për lëndimin më të vogël duhet me shku në spital privat. Prandaj sportistët nuk e dinë asnjëherë se kur kanë me u lëndu ose sa kanë me u lëndu. Me ndërtimin e kësaj qendre edhe nëse lëndohemi, e dimë se ku do të trajtohemi”, është shprehur kampionia.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se Qendra e terapisë fizikale dhe mjekësisë sportive është nisur më herët por tani po arrihet të kurorzohet fillimi i saj. Ai shtoi se iu ka premtuar se nuk do të mbetet vetëm në themel, por do ta kryejmë shumë shpejt.
“Sportistët tanë përveç kontrollave periodike, do ta kenë këtë qendër për t’i trajtuar lëndimet e tyre dhe kjo është më e pakta që mund të bëjmë për ta”, ka deklaruar Ismaili. Ai ka shtuar se do të rishikohet plani i punës me operatorin ekonomik për çka është zotuar se do ta sigurojë buxhetin në mënyrë që të mos vonohet projekti.
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka thënë se kjo qendër e mjekësisë sportive i ka munguar sportistëve të Kosovës e cila do të shërbejë edhe si preventivë kundër lëndimeve me anë të analizave paraprake. Hasani ka kërkuar që qendra të përfundohet para lojërave olimpike në mënyrë që sportistët kosovarë të shkojnë të përgatitur.
Trajneri i Majlinda Kelmendit, Driton Kuka, ka thënë se pjesa më e vështirë e karrierës së tij kanë qenë lëndimet e sportistes. Ai ka thënë se kjo është një mbështetje e mirë për sportistët.
Në anën tjetër, drejtoresha e Klinikës së Fiziatrisë në QKUK, Dr. Hajrije Hundozi, ka thënë se në këtë projekt është paraparë edhe hidro-kinezo terapia për çka do të ndërtohen edhe pishinat e veçanta. /Gazeta Shneta/