Suplementet e lira dhe të aksesueshme të fibrave mund të përmirësojnë funksionin e trurit tek të moshuarit në vetëm tre muaj, zbulon një studim i ri.
Marrja e një suplementi prebiotik ditor mund të nxisë ndryshime pozitive në mikrobiotën e zorrëve, të cilat mund të çojnë në përmirësimin e funksionit të trurit tek individët mbi 60 vjeç, sipas një studimi të ri, shkruan burimi Health News përcjell Gazeta Shneta.
Studimi i botuar në “Nature Communications”, tregon se kjo ndërhyrje e arritshme përmirësoi me sukses performancën e pjesëmarrësve të studimit në një test kognitiv që është përcaktuar si një identifikues i hershëm i sëmundjes Alzheimer.
“Përhapja e demencës po rritet globalisht, por ndërsa popullsia plaket, njohja e ndryshimeve kognitive (njohëse) që mund të ndodhin si pjesë e plakjes së shëndetshme do të bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për studiuesit dhe mjekët që punojnë me të moshuarit,” shkruajnë autorët e studimit.
Studiuesit gjithashtu vendosën të përcaktojnë nëse suplementi, i cili përbëhej nga fibra bimore, inulinë dhe frukto-oligosakaride, mund të përmirësonte forcën e muskujve, por asnjë përmirësim në këtë fushë nuk u vu re gjatë gjithë provës.
Për studimin, studiuesit në TwinsUK, një regjistër i binjakëve me bazë në King’s College në Londër ndanë 36 çifte binjakësh – ose 72 individë – dhe i caktuan njërit binjak një prebiotik ditor dhe tjetrin një placebo për një periudhë prej 12 javore.
Studiuesit dhe pjesëmarrësit nuk ishin në dijeni se cila suplemente u ishte caktuar derisa studimi të mbaronte.
Të gjithë pjesëmarrësit morën gjithashtu një suplement proteinik të përditshëm dhe praktikuan stërvitje rezistence, të cilat të dyja kishin për qëllim përmirësimin e forcës së muskujve.
Në fund, ata zbuluan se suplementi i fibrave tolerohej mirë dhe rezultoi në ndryshime në mikrobiomën e zorrëve, veçanërisht duke çuar në një rritje të një bakteri “të mirë” të quajtur Bifidobacterium.
Hulumtimet e fundit sugjerojnë se mikrobioma e zorrëve mund të jetë e rëndësishme për funksionimin kognitiv në plakje, megjithëse elasticiteti i mikrobiomës së zorrëve zvogëlohet me moshën.
“Ekziston një numër në rritje i provave që mbështesin një bosht zorrë-tru, një sistem komunikimi dydrejtues midis sistemit nervor qendror dhe atij enterik, në të cilin mikrobiota e zorrëve luan një rol kyç me ndikim,” shkruajnë studiuesit.
Në përputhje me hulumtimet e mëparshme, ky studim gjeti një korrelacion pozitiv midis rritjes së rezultatit të faktorit kognitiv (njohës) dhe bollëkut relativ të Actinobacteria. /Gazeta Shneta/