Një tender që peshon 5 milionë euro i ShSKUK-së për NPN Hidroterm, kompaninë e ministrit Blerim Kuçi, ka marrë rrugë ligjore.
Kompania private, Raf II Sh.P.K. me bazë në Rahovec, e ka paditur Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP) për “nxjerrje të një vendimi të kundërligjshëm, kundërthënës dhe abstrakt” në favor të tenderit 5 milionësh për firmën private NPN Hidroterm.
Kjo kompani, aksionet e së cilës i zotëron ministri Kuçi, u shpall fituese e një tenderi publik të vlefshëm pesë milionë euro në fund të shtatorit të këtij viti.
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar (ShSKUK) ia dha firmës NPN Hidroterm kontratën për ndërtimin e një objekti spitalor në Prizren.
Por, kjo kontratë publike e ShSKUK-së me NPN Hidroterm mund të mos ekzekutohet në qoftë se Gjykata Themelore në Prishtinë aprovon padinë e parashtruar nga kompania “Raf II” Sh.P.K., e cila pretendon të jetë dëmtuar nga një vendim i Gjykatës së Tenderëve.
Ky vendim i Organit Shqyrtues të Prokurimit, i nxjerrë më 18 shtator, vërtetoi njoftimin për dhënie kontrate të ShSKUK-së për kompaninë e ministrit Kuçi, por edhe e aprovoi si “pjesërisht të bazuar” ankesën e firmës “Raf II” Sh.P.K..
“E paditura (OShP), më datë 18 shtator ka nxjerr vendim për vërtetimin e njoftimit për dhënie të kontratës së ShSKUK-së edhe pse është dashur të eliminohet operatori ekonomik i rekomanduar për kontratë nga ky aktivitet prokurimi”, thuhet në padinë për konflikt administrativ, të dorëzuar më 25 shtator në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Firma ankuese Raf II Sh.P.K., bazuar në padinë të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi, ka kërkuar nga gjykata e shkallës së parë shtyerjen e ekzekutimit të “vendimit paradoksal e kundërthënës” të OShP-së. Ka kërkuar edhe anulimin e vendimit të ShSKUK-së për t’ia dhënë kontratën 5 milionëshe kompanisë së minitrit Kuçi.
“Duke pasur parasysh të gjitha arsyet që u cekën më lartë, do të ishte në interesin publik të shtyhet ekzekutimi i vendimit të OSHP-së, me qëllim që të mos dëmtohet buxheti i Republikës së Kosovës”, thuhet në padinë e “Raf II” Sh.P.K. kundër OShP-së.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në insajderi.org