Tingujt e celularëve apo i biperit, të cilët gratë shtatzëna i bartin në xhepat e rrobave të tyre, sikurse edhe vibracionet e tyre, mund të pengojnë gjumin e foshnjës së palindur dhe ta shqetësojnë atë, tregon hulumtimi më i ri amerikan.
Për këtë arsye, mjekët u sugjerojnë grave shtatzëna që telefonat e tyre t’i mbajnë në çanta, larg frytit të tyre, me qëllim që të shmangin problemet e mundshme, transmeton Gazeta Shneta
Studiuesit përmes kontrolleve me ultrazë, kanë konstatuar se tingujt e tillë të befasishëm, shkaktojnë lëvizjen e kokës së fetusit, hapjen e gojës dhe dridhjen, por nuk kanë arritur të konstatojnë nëse përsëritjet e tilla të shqetësimit e dëmtojnë shëndetin e fëmijës së palindur, apo edhe vetë shtatzëninë dhe lindjen e fëmijës.
Tingujt shqetësues, por edhe vibracionet, e pengojnë ciklin normal të gjumit të fetusit, kanë konstatuar shkencëtarët. Shumica e fëmijëve ende të pa lindur, me kalimin e kohës mësohen me tingujt e tillë të përsëritur, thotë udhëheqësi i studimit Boris Petrikovsky nga qendra mjekësore “Wyckhoff Heights” në New York.
“Ajo që kemi zbuluar është se nëse jeni foshnje në mitër dhe dikush ju zgjon çdo orë, nuk do të jeni aspak të lumtur”, ka thënë ai. Në kuadër të hulumtimit, janë vëzhguar 28 shtatzëna të cilat ishin në tremujorin e fundit të shtatzënisë, të cilat bartin celularë dhe pajisje biber në xhepat e tyre.
Studimet e mëhershme kanë treguar se shtatzënat që përdorin pajisje mobile gjatë shtatzënisë, kanë më shumë komplikime gjatë shtatzënisë, mirëpo, ky studim nuk ka mundur ta konstatojë këtë. / Gazeta Shneta /