Koinfeksionet bakteriale ishin të rralla në mesin e pacientëve me COVID-19 të shtruar në spital gjatë valës së parë të pandemisë.
Përkundër provave të pakta të infeksioneve bakteriale, një pjesë e madhe e pacientëve morën antimikrobikë, shkruan Medical News Today përcjell Gazeta Shneta.
Studiuesit theksojnë rëndësinë e administrimit antimikrobik për të parandaluar rritjen e infeksioneve rezistente ndaj barnave.
Rezistenca antimikrobike është një shqetësim i madh për shëndetin publik që kërcënon aftësinë për t’u marrë me infeksionet e zakonshme.
Optimizimi i përdorimit të barnave antimikrobike, ose antibiotikëve, luan një rol kritik në trajtimin efektiv të infeksioneve dhe kufizimin e rezistencës ndaj antibiotikëve. Ky optimizim njihet si administrim antimikrobik.
Në një aspekt të përgjithshmë kjo përfshin kufizimin e përshkrimit të barnave antimikrobike para se testet të konfirmojnë se ekziston një infeksion bakterial, veçanërisht gjatë pranimit në spital.
Një studim i fundit i botuar në The Lancet Microbe, hulumtoi përdorimin e antimikrobikëve midis pacientëve me COVID-19 të shtruar në Mbretërinë e Bashkuar.
Koinfeksionet bakteriale janë të zakonshme tek njerëzit me infeksione të rënda virale të frymëmarrjes, siç është infeksioni i gripit, dhe shpesh shoqërohen me rritje të niveleve të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë. Si rezultat, mjekët shpesh përshkruajnë terapi antimikrobike në këto raste të koinfektimit.
Udhëzime aktuale të Britanisë së Madhe, kanë paralajmëruar kundër përdorimit të terapisë antimikrobike pa prova specifike të një infeksioni bakterial.
Sidoqoftë, studime të shumta kanë raportuar një prevalencë të ulët të koinfektimit bakterial të konfirmuar dhe një përqindje të lartë të pacientëve COVID-19 që marrin antimikrobikë.
Metodat dhe rezultatet e studimit
Studiuesit kanë analizuar të dhënat e pacientëve nga 260 spitale në Angli, Skoci dhe Uells.
Gati 50,000 pacientë të diagnostikuar me COVID-19 u pranuan në këto spitale gjatë valës së parë të pandemisë, midis 6 shkurtit dhe 8 qershorit 2020.
Rreth 18%, ose 8,649, e këtyre pacientëve u vlerësuan për infeksione mikrobiologjike pas pranimit. Testet mikrobiologjike përfshinë teste të gjakut dhe analiza të sputumit dhe mostrave të thella të mushkërive.
Përafërsisht 13%, ose 1,107, e atyre që u testuan – treguan infeksione bakteriale të frymëmarrjes ose të qarkullimit të gjakut në lidhje me COVID-19.
Në të kundërt, bashkëinfeksionet bakteriale janë shumë më të zakonshme në mesin e njerëzve me grip të rëndë, që ndodhin në 23% të pacientëve sipas një meta-analizë të vitit 2013.
Midis pacientëve COVID-19 me të dhëna të disponueshme, rreth 37% kishin marrë antimikrobikë për këtë para se të pranoheshin në spital. Studiuesit vunë në dukje se përkundër mungesës së provave të infeksioneve bakteriale, 85% e pacientëve morën antimikrobikë gjatë qëndrimit në spital.
Agjentët me spektër të gjerë si karbapenemët, një klasë antimikrobikësh të rezervuar për trajtimin e infeksioneve bakteriale të rënda ose me rrezik të lartë, u përdorën shpesh dhe përbënin 3.8% të të gjitha recetave.
Bashkë-autore e studimit, Dr. Antonia Ho thotë se:
“Duke bërë ndonjë vlerësim të përdorimit të antimikrobikëve në trajtimin e pacientëve me COVID-19, është thelbësore të pranojmë që klinicistët në Mbretërinë e Bashkuar dhe në mbarë botën, kanë luftuar një urgjencë globale mjekësore”.
“Duke pasur parasysh sfidat e pashembullta të paraqitura nga pandemia, veçanërisht gjatë fazave të hershme të saj, kur pacientët e pranuar ishin shumë të sëmurë, trajtimet efektive ishin të kufizuara dhe roli i koinfeksioneve të mundshme ishte i panjohur, nuk është për t’u habitur që mjekët do të përshkruanin antimikrobikë”. /Gazeta Shneta/