Janë bërë pesë muaj që nga koha kur menaxhimi i Ministrisë së Shëndetësisë ia besua specialistit të kirurgjisë, Rifat Latifi. Gjatë këtyre pesë muajve sistemi shëndetësor në vend nuk ka pësuar ndonjë ndryshim.
Mungesa e barnave, listat e gjata të pritjes në klinika e spitale, dështimi për funksionalizim të Bordit Drejtues të Fondit për Sigurime Shëndetësore, janë vetëm disa nga gjërat për të cilët Latifi, nuk ndërmori asgjë për pesë muaj menaxhim.
Që kemi një shëndetësi të brisht dhe pothuajse të rrënuar, e ka dëshmuar përhapja e pandemisë së koronavirusit. Klinikat e Spitalet Rajonale në vend mbahen “gjallë” kryesisht nga donacionet e partnerëve ndërkombëtarë e pacientët detyrohen të blejnë shpatulla të drurit, jod, infuzione, penj e gjilpëra, pasi këto të fundit për një arsye apo tjetër nuk sigurohen nga Ministria e Shëndetësisë.
Për gjatë këtyre pesë muajve, ministri Latifi, nuk i la anash vizitat jashtë vendit. Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës erdhi për të qeverisë në Ministrinë e Shëndetësisë, megjithatë disa ditë pasi mori mandatin ai udhëtoi përsëri për në Amerik “për arsye personale”.
Disa javë pasi u rikthye dhe qytetarët shikonin se kur do të filloj punën në përmirësimin e shëndetësisë në vend ai udhëtoi përsëri për në ShBA. Dy vizitat e tij u përcollën me kritika nga qytetarët e shoqëria civile, por në anën tjetër nga kryeministri Albin Kurti e arsyetonte se “ka punuar online”.
Më 14 janar ministri vazhdoi vizitën e tij në Shqipëri. Atje u takua me ministrën e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogreta Manastirliu.
Në njoftimin e publikuar në uebfaqe të Ministrisë së Shëndetësisë thuhej se dy ministrat kanë biseduar për mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në sektorin e shëndetësisë.
“Ka biseduar për mundësitë dhe fushat e bashkëpunimit dypalësh mes të dyja vendeve”, thuhet në njoftimin e ministrisë duke mos dhënë asnjë sqarim nëse është arritur ndonjë marrëveshje apo nëse ka diçka konkrete nga ky takim.
Në mujin mars, Latifin po e priste në Turqi homologu i tij Fahrettin Koci. Ai bëri takime me autoritete të ndryshme nga sektori i shëndetësisë.
Përveç vizitave të spitaleve e komunitetit shqiptarë të cilët jetojnë e punojnë në Turqi edhe nga ky takim nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje.
Për këtë vizitë katër ditëshe Gazeta Shneta ka kërkuar sqarim nga Ministria e Shëndetësisë nëse është arritur ndonjë marrëveshje apo jo, mirëpo këta të fundit tash e disa javë nuk janë përgjigjur.
Sa ka paguar shteti për këto katër vizita asnjëherë askush nga Ministria e Shëndetësisë nuk janë dhënë sqarime.
“Vizita të kota”
Vizitat e ministrit Latifi shpesh herë janë konsideruar pa plan dhe pa program konkret nga ekspertë të sektorit të shëndetësisë e vet qytetarëve të Kosovës.
Vizita të kota i konsideron edhe analisti, Imer Mushkolaj. Ai thotë se një pjesë e këtyre takimeve nuk kanë fare fokus, madje Mushkolaj thotë se shumica e këtyre takimeve do të mund të kryheshin online.
“Shumica e këtyre vizitave që i ka bo apo këtyre takimeve kanë mujt me u kry pa shku fare në Turqi. Një pjesë e këtyre takimeve nuk kanë pasur fokus. Është taku edhe me shqiptarë që jetojnë atje, është taku edhe me përfaqësues të instituteve të ndryshme kur në qendër sipas ministrit ka qenë nevoja për hulumtime shkencore, unë nuk mendoj që ky është problemi kryesore i shëndetësisë kosovare”, shprehet ai në një prononcim për Gazetën Shneta.
Mushkolaj thotë se ministri do të duhej të merrej me çështje shumë më prioritare në shëndetësi se sa të “endet Kosovë – Turqi, pa një qëllim të qartë dhe pa e arritë asnjë marrëveshje konkrete”
“Këto vizita të kota nuk prodhojnë kurrfarë efekti praktik në përmirësimin e stituatës në shëndetësi”, vlerëson ai.
Pozitën e specialistit të kirurgjisë në krye të ministrisë së shëndetësisë, Mushkolaj e konsideron të gabuar. Ai thekson se Latifi mund të jetë shkenctar i mirë mirëpo nuk e konsideron personin e duhur për menaxhim të shëndetësisë në vend.
“Nuk e di pse kryeministri e ka përcaktu në një pozitë mjaftë të rëndësishme. Për mua duhet të largohet sa më shpejtë nga ajo pozitë, të kthehet në ShBA të merret me hulumtime shkencore, mund të shërbejë si këshilltarë, mirëpo Kosovës i duhet një ministër ose ministre shumë më dinamik, i duhet një menaxher apo menaxhere e mirë dhe jo një shkenctar i cili fokusin kryesore e ka tek hulumtimet shkencore në ndërkohë gjendja në shëndetësi është jashtëzakonisht e vështirë”, shton tutje ai.
Pa iniciativë legjislative dhe ndryshim të mirëqeniës së punëtorëve shëndetësorë e konsideron ministrin e shëndetësisë kryetari i Federatave të Sindikatave të Shëndetësisë, Blerim Syla.
“Unë tash e një kohë jom ka shoh që nuk ka as iniciativë legjislative kjo është sa i përketë inicimit për Sigurime Shëndetësore dhe Ligjit për Shëndetësi. Nuk ka as iniciativë për rritje të mirëqenjës së punëtorëve shëndetësorë në tërësi”, shprehet Syla për Gazetën Shneta.
Sa i përketë vizitave, edhe ai i konsideron të kota. Syla thotë se çdo vizitë e ministrit duhte të zgjedh diçka të re për shëndetësin në vend, por ai shprehet se një gjë të tillë nuk e ka parë tek ministri Latifi.
“Çdo vizitë e ministrit duhet të zgjedh diçka të re, ndonjë marrëveshje apo diçka në të mirë në shëndetësin kosovare gjë që nuk e kam parë tek Latifi. Tha që 12 milion euro i paskëm borxh na spitaleve private të Turqisë kjo lë të kuptojmë që ka shkuar me u marrë vesh për ato borxhe mirëpo asgjë për të mirën e shëndetësisë kosovare, si çdo ministër tjetër i kësaj qeverie edhe ky është jo transparent nuk kemi konkret asgjë”, shton tutje ai.
Kujtojmë se nga mesi i muajit mars në vitin paraprak dhe deri kah mesi i mujit tetor, ministria e Shëndetësisë është udhëhequr nga Arben Vitia. Ai e la këtë pozitë për të garuar në zgjedhjet komunale./Gazeta Shneta/