Qendra e Mjekësisë Urgjente të Prishtinës dhe Qendra Klinike Universitare kanë realizuar me sukses tre raste në kuadër të programit për trajtimin e infraktit akut të miokardit brenda 120 minutave.
Drejtori për Shëndetësi në Komunën e Prishtinës Dr. Bujar Gashi, ka njoftuar se QMU nga data 8 korrik ka dërguar tre raste me infarkt direkt në sallën e për kateterizim në QKUK brenda 100 minutave, shkruan Gazeta Shneta.
“Nga data 08.07.2019 deri më sot janë realizuar tri raste që të gjitha në kohë rekorde në më pak se 100 minuta nga momenti i thirrjes së pacientit, vizita nga ekipet e QMU-së, transporti direkt në sallën për kateterizim koronar, deri te perfundimi i stentimit. Me këtë angazhim u shpëtuan tri jetë”, ka shkruar Gashi.
Kujtojmë se gjatë muajit të kaluar ka filluar programi për trajtimin e infarktit akut të miokardit brenda 120 minutave në nivel kombëtar. Ky program aktualisht është duke u pilotuar në komunën e Prishtinës, ndërsa pritet të shtrihet edhe në komunat tjera. /Gazeta Shneta/