Është shumë normale që tek disa bebe pas lindjes të shfaqet verdhëza e cila shfaq tek fëmija një ngjyrë të verdhë në lëkurë. Kjo shkaktohet nga rritja e nivelit të bilirubinës në trupin e bebes dhe me kontrollin e duhur nga stafi mjekësor do të mund të kthehet në normalitet.
Sipas Americanpregancy, bebet që ushqehen me gji do të kenë një kohëzgjatje më të madhe të verdhëzës, dhe shpesh nënat nuk marrin informacionin e saktë në lidhje me këtë.
Verdhëza fiziologjike
Ajo shkaktohet nga rritja e bilirubinës në trupin e fëmijës dhe mund të prekë bebet në javët e para të lindjes. Bilirubina është një lëndë që çlirohet nga shpërbërja e qelizave të kuqe të gjakut, dhe në disa raste mëlçia nuk është në gjendje të largojë bilirubinën nga qarkullimi i gjakut. Në këtë rast shfaqte verdhëza. Por nuk kemi vetëm këtë lloj verdhëze.
Verdhëza e qumështit të gjirit
Kjo zgjat më shumë se verdhëza fiziologjike dhe mund të shfaqet edhe tek fëmijët e lindur në term, tek fëmijët e shëndetshëm, pra që ushqehen me gji. Nuk ka asnjë informacion në lidhje me shkakun e kësaj verdhëze por disa spekulime janë bërë në lidhje me një substancë që gjendet në qumështin e gjirit e cila bllokon shkatërimin e bilirubinës. Zakonisht kjo lloj verdhëze është e trashëgueshme.
Në lidhje me këtë ju nuk duhet të mendoni se ka diçka që nuk shkon tek qumështi i nënës dhe absolutisht nuk duhet të ndërpritet gjidhënia. Vlerat e bilirubinës do të ulen gradualisht dhe kjo lloj verdhëze mund të zgjasë 3-12 javë pas lindjes. Gjithashtu vlerat e saj mbahen nën kontroll nga mjeku për të mos shkaktuar asnjë komplikacion. Një tjetër shkaktar mendohet se është edhe mosmarrja e sasisë të nevojshme të qumështit të gjirit./pernenat.al/