Të burgosurit me kujdes të kufizuar shëndetësor

2017-03-17 në ora 08:15

Kushtet në qendrat korrektuese të Kosovës nuk i përmbushin standardet ndërkombëtare, sidomos në higjienë dhe në trajtimin mjekësor. Ndërsa disa qendra korrektuese duhet patjetër të mbyllen për shkak të kushteve jo adekuate për të paraburgosurit dhe ata që vuajnë dënimet.

Kështu deklaroi Valentina Demolli, koordinatore nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, në emisionin e mëngjesit në RTK, për temën “Monitorimi i qendrave të ndalimit, qendrave të paraburgimit dhe qendrave korrektuese”.

KMDLNj, sipas saj, ka publikuar raportin për personat e privuar nga liria në burgjet e Kosovës, ku janë bërë monitorime të rregullta dhe të veçanta. Ne që jemi jashtë institucioneve korrektuese sipas Demollit, “kemi të drejtën ta mbrojmë vetën, ndërkaq ata brenda janë më të kufizuar”.

Ajo tha se gjetjet në vitin 2016 janë bërë monitorime të vazhdueshme nëpër qendrat korrektuese dhe se kushtet janë  gati të njëjta me atë të viteve paraprake, me disa përjashtime.

Ajo përmendi disa qendra korrektuese që nuk i plotësojnë kushtet për çka janë të determinuara, si ajo e Gjilanit ku sipas saj, duhet të mbyllet menjëherë dhe të funksionalizohet qendra e reja. Po ashtu, siç tha ajo, duhet renovimi qendra  korrektuese Pejës dhe e Prizrenit që të burgosurit t’i kenë gjitha të drejtat e tyre me standarde ndërkombëtare.

Sipas Demollit, të burgosurit ankohen për shërbimet shëndetësore dhe ankesat për lirimet me kusht, por sipas Demollit kushtet ku punojnë mjekët në këto institucione, janë jo të mira, dhe nuk bëhet një shërbim adekuat. Ajo  tha se kjo çështje duhet të rregullohet dhe të ndahet buxhet për kujdesin shëndetësorë, sepse vetëm kujdesi primar iu ofrohet të burgosurve pacientë, nëse ka nevojë për më shumë duhet vazhduar në QKUK, ku me këtë u rrezikohet jeta të burgosurve.

Ajo tha se gjatë monitorimit, përfaqësuesve të KMDLNJ-së nuk u lejohet të kenë me vete aparate fotografike, por as telefon, që të mund të pasqyrojnë në detaje se si është gjendja në këto qendra korrektuese. “Ambientet në këto qendra janë shumë depresive që ka vetëm nga një dhomë me një të burgosur ku ndikon te psikologjia e tyre dhe mund t’i qojë edhe te vetëvrasja”, tha ajo duke shtuar që duhet të ndërmerren hapa për këtë çështje.

Sa i përket kushteve të punëtorëve në këto qendra Demolli tha se edhe punëtorët aty nuk kanë kushte të mira për punë, madje “iu mungojnë edhe karriget dhe gjërat e tjera elementare”.