Vajza Adea po qëndron në shtëpi së bashku më vëllain e saj, pasi dy prindërit Dr. Nderim dhe Dr. Luljeta Hasani po kujdesen për të sëmurët nga koronavirusi.
Mjekët bashkëshortor janë të dy infektologë. Dr. Nderimi ditën e djeshme është thirrë urgjent pasi ka qenë në gatishmëri dhe do të vazhdojë të punojë edhe sot që i bie kujdestari 48 orëshe, ndërsa Dr. Luljeta ka filluar punën sot në mëngjes, shkruan Gazeta Shneta.
Gjatë vizitës së ministrit të Shëndetësisë dr. Arben Vitia, dr. Luljeta ka thënë se i ka përgatitur fëmijët e saj që të qëndrojnë në shtëpi dhe përkundër vështirësive do të qëndrojnë në punë.
Vajza e infektologëve Adea ka bërë një dedikim prekës për prindërit e saj të cilët po qëndrojnë në frontin e parë të luftës kundër përhapjes së koronavirusit.
“Sot përfundimisht edhe Kosova ime u prek nga i famshmi Coronavirus-i kudo nëpër shtëpitë tona një atmosferë frike, panike të cilën të them të drejtën më së shumti jeni duke na e servuar ju mediat. Jam plotësisht e vetëdijshme por edhe psikologjikisht e përgatitur se sot filloi një betejë e gjatë por jo e pamundur, prandaj ju lutem përmbajuni këshillave të mjekëve, mos krijoni panik, mos ju bëni presion atyre që janë shpresa jonë në këto momente”, shkruan gazetashneta.
“E di që nuk do të jetë e lehtë për të gjithë, por të jesh fëmijë i dy doktorëve e aq më shumë i dy infektologëve në këto momente është edhe më e vështirë. Andaj lutemi për heronjtë tanë Forca Klinika Infektive, Forca Qendra Emergjente e gjithë stafi mjekësorë anë e mbanë vendit tim. Lutemi per ju!”, ka shkruar Adea.
Ministri Vitia gjatë vizitës së tij në Infektivë dhe Institutin Kombëtar, ka shprehur falënderimin e tij për të gjithë punëtorët shëndetësorë për angazhimin e tyre maksimal në këtë situatë, ndërsa ka kërkuar mirëkuptim të mos liruar nga puna stafin mjekësor për shkak të nevojave të mëdha. /Gazeta Shneta/