Një studim i fundit i botuar në revistën ‘Obstetrics & Gynecology’ ka hedhur dritë mbi rezultatet e pafavorshme të shtatzënisë me të cilat gratë mund të përballen nëse mbeten shtatzënë më vonë në jetë.
“Ne zbuluam se gratë shtatzëna të moshës 35 vjeç e sipër përballen me një rrezik më të lartë të disa rezultateve anësore të shtatzënisë, përfshirë anomalitë kromozomale, abortin dhe lindjen e parakohshme, kur krahasohen me gratë shtatzëna të moshës 20 deri në 34 vjeç,” tha autore kryesor, Line Elmerdahl Frederiksen për Healthline.
Frederiksen dhe kolegët analizuan të dhëna nga më shumë se 369.500 gra në Danimarkë që u ndoqën nga javët 11 deri në 14-të të shtatëzënive të tyre, deri në kohën kur mbaruan shtatëzënitë përcjell Gazeta Shneta.
Ata zbuluan se gratë mbi moshën 35, kishin një rrezik në rritje të komplikimeve të caktuara, megjithëse në përgjithësi, rreziku i këtyre komplikimeve mbeti i ulët.
Në mesin e grave që ishin nga 20 deri në 34 vjeç – 0,56 përqind kishin një fetus me anomali kromozomale.
Në krahasim, përqindja e grave mbi këtë interval që të kishin një fetus me anomali kromozomale ishte më shumë se dyfishi i shanseve.
Ata zbuluan se 1.3 përqind e grave të moshës 35 deri 39 vjeç, dhe 3.8 përqind e grave të moshës 40 vjeç ose më të vjetëra, kishin një fetus me anomali kromozomale.
Ndërsa aborti prekte 0.4 përqind të grave të moshës 20 deri në 34 vjeç, rreziku ishte statistikisht shumë më i lartë për gratë e me moshë përtej 34-shit.
Gati 1 përqind e grave të moshës 35 deri 39 vjeç, dhe më shumë se 1.6 përqind e grave të moshës 40 vjeç dhe më të vjetëra raportuan se kishin një abort.
“Është e rëndësishme të theksohet se mesazhi ynë me këtë studim nuk është se gratë në moshat e përparuara nuk duhet të kenë fëmijë, por ne e shohim parësore që këto gra janë të informuara mirë për rritjen e rrezikut të tyre,” tha Frederiksen. /Gazeta Shneta/