Të sëmurët nga leukemia: Po vdesim në mungesë të barnave

2018-02-13 në ora 14:07

Fahrije Bytyqi e sëmurë nga leukemia kronike thotë se jeta e saj dhe pacientëve të tjerë po rrezikohet nga mungesa e barit kryesor që parandalon zhvillimin e kësaj sëmundje. Drejtori i Klinikës së Hematologjisë në QKUK, Dr. Shemsedin Sadiku, thotë se nuk janë furnizuar nga MSH me ‘Imatinib’ që nga viti i kaluar

Bujar Vitija

“Tri paciente nga Prizreni kanë vdekur nga mungesa e barit vitin e kaluar, njëra prej tyre vajzë e re 26 vjeçare. Edhe sa duhet të vdesim që Ministria e Shëndetësisë të na furnizojë me barna”. Ky është apeli i Fahrije Bytyqit nga Prizreni e cila vuan nga leukemia kronike, për ministrin Uran Ismaili, i cili as nuk e pranoi në takim.

Bytyqi dhe mbi 40 pacientë në gjithë Kosovën vuajnë nga kjo sëmundje. Herën e fundit që janë furnizuar me barin ‘Imatinib’, është muaji mars i vitit të kaluar. Ky bari është kryesori për terapinë e këtyre pacientëve, i cili parandalon zhvillimin e qelizave malinje, shkruan Gazeta Shneta.

Bytyqi tregon se gjatë mandatit të ish-ministrit Imet Rrahmani, janë furnizuar me barna vetëm tetë muaj. Ndërsa tani po bëhet një vit që nuk kanë marr fare barna nga MSH.

“Madje ata tetë muaj jemi furnizuar me një lloj të ‘Imatinibit’ i cili nuk ka pasur efektin e duhur për parandalimin e zhvillimit të sëmundjes”, thotë Fahrija. Sipas saj, është pikërisht mungesa e efektit të këtij bari që çoi në vdekjen e tri shoqeve të saj.

Bytyqi thotë se asaj dhe pacientëve të tjerë iu duhet të marrin çdo ditë nga një tabletë 400 mb Imatinib. Një pako me 30 tableta kushton mbi 2 mijë euro. Ajo thotë se ka edhe më të lira, por vetëm lloji i prodhuar nga kompania “Novartis”, jep efektin e duhur.

Bytyqi nuk ka lënë derë të zyrtarëve pa trokitur për të kërkuar furnizim. “Shkova në Ministri për ta takuar ministrin. Doli një zyrtar dhe më kërkoi ta protokolloj një kërkesë për takim dhe kaq”, deklaron ajo.

“Tash që dy muaj jam pa terapi dhe jam shumë e lodhur dhe mezi po mbijetoj. Në ministri po shtyhen se cili po e merr tenderin. Kjo është arsyeja pse po shtyhet”, shprehet Bytyqi. Ajo shton se ka shumë vështirë për t’i siguruar paratë për blerjen e barit të duhur, dhe nganjëherë detyrohet të blej më të lira, çka e përkeqëson gjendjen shëndetësore.

Tenderi për furnizim me ‘Imatinib’ nuk është nënshkruar nga ministri Ismaili në tetor të vitit të kaluar. Kjo për shkak se në media u raportuar se MSH ka rekomanduar blerjen e ‘Imatinibit’ me çmim 300 për qind më të lartë sesa çmimi i tregut.

Drejtori i Klinikës së Hematologjisë në QKUK, Dr. Shemsedin Sadiku, thotë se ‘Imatinibi’ është bari kryesor në trajtimin e këtyre të sëmurëve. Ai thotë se ky preparat është i shtrenjtë dhe mjaft i vështirë për t’u siguruar nga xhepi i pacientëve.

Ai konfirmon se nga muaji maj i vitit të kaluar klinika nuk është furnizuar me këto barna, ndonëse i kanë bërë planifikimet me kohë.

“Efekti i këtij bari është frenimi i shumëzimit të qelizave malinje dhe vjen deri të rënia e vazhdimit të sëmundjes. Nëse nuk merret ky bari shtohen qelizat malinje, sëmundja progredon dhe jeta e të sëmurit rrezikohet”, deklaron Dr. Sadiku.

Ai shpjegon se substanca fillestare e këtij bari është patentuar nga prodhuesi “Novartis”. Kjo patentë pas një kohe iu është dhënë edhe kompanive të tjera dhe tani në treg ka disa lloje me çmime më të lira. Mjeku thotë se për efektet klinike duhet të bëhen analiza nga laboratori.

Sadiku ka konfirmuar poashtu se disa pacientë kanë ndërruar jetë, pasi sëmundja e leukemisë nga faza kronike, kalon në fazën e ascelerimit dhe në atë blastike kur shndërrohet në leukemi akute. Ky është stadi terminal kur jeta e pacientit është shumë e rrezikuar.

Gazeta ka pritur rreth një javë për të marr përgjigje për çështjen e furnizimit nga Ministria e Shëndetësisë. Por Zyra për Media thotë se MSH është në kërkim të një zgjidhjeje që pamundëson kontraktimin e produktit me çmime të fryra. /Gazeta Shneta/