Një pjesë e stafit të teknikëve në Klinikën e Radiologjisë paguhen me qindra euro për kujdestari sikurse specialistët.
Një numër i teknikëve në Klinikën e Radiologjisë në QKUK janë duke u paguar për kujdestari prej më shumë se një vit, me qindra euro sikurse specialistët, shkruan Gazeta Shneta.
Gazeta ka siguruar një listë të teknikëve prej tetë personave të cilët mbajnë kujdestari në njësinë e tomografisë në Neurologji. Poashtu Gazeta Shneta ka siguruar edhe dokumente të pagave të teknikëve ku shihet se kanë përfituar mbi 400 euro kujdestari për një muaj.
Në këtë dokument mund të shihet paga e një tekniku, emër i njohur për redaksinë, i cili në muajin prill të këtij viti ka përfituar 409 euro për kujdestaritë e mbajtura në këtë njësi. Ndërkaq drejtori i Klinikës së Radiologjisë Bujar Gjikolli ka përfituar mbi 500 euro për kujdestari.
Gazeta ka kërkuar sqarime nga menaxhmenti i SHSKUK-së për pagesën e këtyre kujdestarive për stafin e teknikëve, nëse ka apo jo bazë ligjore, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje. Sqarime nuk ka dhënë as vet drejtori i klinikës Gjikolli.
Pagesa të jashtëligjshme për kujdestari janë kryer edhe në Klinikën e Kardiokirurgjisë, sipas një raporti të auditorit të brendshëm. Pas publikimit të këtij raporti nga Gazeta Shneta, menaxhmenti i SHSKUK-së shkarkoi ish-drejtorin Tefik Bekteshi. /Gazeta Shneta/