Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) njoftoi të martën për miratimin emergjent të testit të parë Covid-19 që mund të bëhet plotësisht në shtëpi.
Paketa e testit Covid-19, ‘All-in-One’, e bërë nga kompania bioteknologjisë ‘Lucira Health’, është testi i parë i shtupës së hundës që mund të administrohet plotësisht në shtëpi dhe ofron rezultate në 30 minuta ose më pak, sipas një deklarate nga agjencia qeveritare shkruan The Insider, përcjell Gazeta Shneta.
Pasi pacienti të ketë realizuar testin përmes shtupës së hundës, ajo më pas trazohet në një shishkë dhe vendoset në një njësi prove. Brenda pak minutash, dritat tregojnë nëse individi është pozitiv, negativ ose ka nevojë të përsërisë testin.
Testi me një përdorim është aprovuar për njerëzit mbi moshën 14 vjeç, kur ofruesi i kujdesit shëndetësor dyshon se mund të kenë koronavirus, tha FDA. Është autorizuar vetëm për përdorim me recetë.
Paketa mund të përdoret gjithashtu në spitale, qendra të kujdesit urgjent dhe dhomat e urgjencës, por pacientët nën 14 vjeç duhet të marrin mostrën e tyre nga një ofrues i kujdesit shëndetësor, tha FDA.
“Ky opsion i ri i testimit është një përparim i rëndësishëm diagnostikues për të adresuar pandeminë dhe për të zvogëluar barrën publike të transmetimit të sëmundjes” tha komisioneri i FDA-së, Stephen M. Hahn. /Gazeta Shneta/