Shfaqja e fundit e qindra rasteve të lisë së majmunëve në mbarë botën ka shkaktuar tashmë një vërshim dezinformatash në internet, shumica e tyre e modeluar sipas teorive konspirative që kanë qarkulluar që nga fillimi i pandemisë COVID-19.
Burimi AFP Fact Check, ekzaminoi tre pretendime që janë shfaqur në muajin që kur rastet e lisë së majmunëve filluan të regjistroheshin jashtë zonave në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore ku është bërë endemike, transmeton Gazeta Shneta.
Nuk është një efekt anësor i vaksinës
Postimet e mediave sociale të shpërndara në të gjithë botën kanë pretenduar gabimisht se rastet e fundit të lisë së majmunëve janë një “efekt anësor” i vaksinës AstraZeneca.
Pretendimi lidhet me faktin se gjilpëra e AstraZeneca përdor një vektor adenovirus – shimpanze.
Por ekspertët e shëndetësisë, i thanë AFP-së se kjo ide “nuk ka asnjë bazë në fakt”, pjesërisht sepse viruset i përkasin familjeve të ndryshme.
Vaksina “nuk mund të gjenerojë viruse të reja brenda njerëzve dhe të shkaktojë diçka si lija e majmunit”, tha profesor Eom Jung-shik, ekspert i sëmundjeve infektive në Qendrën Mjekësore të Universitetit Gachon Gil.
Kompania Pfizer nuk ka një vaksinë kundër lisë së majmunit
Postimet e mediave sociale kanë pohuar gjithashtu se Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA-së (FDA), miratoi së fundmi një vaksinë të re kundër lisë së majmunit nga gjiganti farmaceutik Pfizer, i cili zhvilloi vaksinën e parë të disponueshme për COVID.
Kjo është e rreme; vaksina e vetme për parandalimin e lisë së majmunëve në Shtetet e Bashkuara u miratua nga FDA në vitin 2019 dhe Pfizer nuk e prodhon atë.
Abby Capobianco, oficere shtypi në FDA, i tha AFP-së se vaksina, e quajtur Jynneos, ishte “e licencuar nga FDA për parandalimin e sëmundjes dhe lisë së majmunëve në të rriturit 18 vjeç e sipër, të përcaktuar se janë në rrezik të lartë për linë e majmunit.”
Jynneos nuk është një vaksinë e re – FDA e miratoi atë në shtator 2019.
Kompania farmaceutike Bavarian Nordic, e cila prodhon vaksinën Jynneos është e vetmja e aprovuar nga FDA për linë e majmunëve, megjithatë të dhënat kanë treguar se një vaksinë kundër lisë është 85 për qind efektive në parandalimin e sëmundjes, sipas Qendrave të SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Pretendimi i rremë për herpesin e Kanadasë
Postimet e mediave sociale shpërndanë një imazh të një artikulli të supozuar nga CTV News i Kanadasë, duke pretenduar se 95 për qind e rasteve të lisë së majmunëve të hetuara nga zyrtarët kanadezë rezultuan të ishin herpes.
Megjithatë, Rob Duffy, menaxher i komunikimit të CTV News në kompaninë e tyre mëmë Bell Media, i thanë AFP se rrjeti “asnjëherë nuk publikoi një histori të tillë dhe se pamja e ekranit nuk tregon një artikull autentik nga CTV News”.
Ndërsa disa simptoma mund të jenë të ngjashme në rastet e herpesit dhe lisë së majmunit, ato nuk shkaktohen nga i njëjti virus, sipas Isaac Bogoch, profesor në Fakultetin e Mjekësisë Temerty në Universitetin e Torontos.
“Mund të ketë disa mbivendosje në paraqitjen e tyre klinike”, por “lija e majmunit dhe herpesi janë dy infeksione krejtësisht të ndryshme”, tha ai për AFP. /Gazeta Shneta/