Thumbimi nga insektet mund të shkaktojë sëmundje, në Dermatologji s’ka barna

2018-07-25 në ora 07:24

Moti që po mbretëron gjatë stinës së verës së këtij viti, i përcjellë me temperatura të ndryshueshme ka shtuar rrezikun nga thumbimi i insekteve të ndryshme. Mjekja nga Klinika e Dermatologjisë në QKUK, flet mbi rreziqet që mund të vijnë nga thumbimi derisa tregon se pacientët detyrohen t’i blejnë barnat vet

Ariana Ismaili

Klinika Dermatologjike në QKUK pranon 3-4 raste në ditë të personave që janë thumbuar nga ndonjë insektet, si mushkonjat, arëzat, bletët etj. Varësisht nga rezultati i kontrollit që kryhet aty, vendoset për mënyrën e trajtimit dhe caktimin e terapisë. Për këtë, mjekja e kësaj klinike Dr. Ymrane Blyta, deklaron se klinika ka kapacitet të mjaftueshëm.

“Gjatë sezonit së verës ne pranojmë më shumë raste se herave tjera, 3-4 raste në ditë, menjëherë bëjmë nxjerrjen e thumbit nga lëkura, pastaj fillon trajtimi i mëtutjeshëm”, ka thënë ajo. Blyta shton se në disa raste, këto insekte mund të bartin viruse të rrezikshme për njeriun dhe se pacientët, janë të detyruar që vet t’i sigurojnë barnat, shkruan Gazeta Shneta.

“Helmi i këtyre insekteve mund të bartë bakterie që i sëmurë rëndë njerëzit nga viruset e ndryshme, pacientët duhet kujdesen për veten më shumë, poashtu, duhet që vet t’i blejnë barnat, pasiqë këtu na mungojnë”, ka deklaruar ajo. Përveç rasteve kur thumbimi shkakton reaksion lokal, si skuqje dhe kruarje të lëkurës, në raste të tjera rreziku është më i madh, poashtu edhe reaksioni.

“Disa thumbime, çrregullojnë gjendjen e përgjithshme të organizmit, individi zbehet, djersitet, rritet temperatura apo humb vetëdijen, ato raste ne i hospitalizojmë, ndërsa thumbimi në kokë dhe qafë është më i rrezikshmi”, ka shtuar ajo. Gjithashtu, Blyta sqaron se në klinik ka katër specialist, që ofrojnë këto shërbime.

Mjekja poashtu ka këshilluar që të bëhet kujdes i shtuar gjatë kësaj sezone. “Apeloj që qytetarët të bartin me vete terapi antialergjike, t’i shmangin ambientet ku ka insekte, poashtu higjiena personale dhe pastërtia e ambientit ku jetojmë të mbahet në nivel të lartë”, ka përfunduar Blyta. /Gazeta Shneta/